Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka nisur seanca paraprake për ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe të pandehurit e tjerë të përfshirë në dosjen “Partizani”.
Megjithatë, Berisha dhe Malltezi nuk janë të pranishëm në sallë, ndërsa mbrojtja e tyre do të përfaqësohet nga avokatët, të cilët do të paraqesin argumentet ligjore në favor të klientëve të tyre.
Fillimisht, radhën për të dhënë argumentet mbrojtëse e kanë avokatët e Jamarbër Malltezit, më pas do të vijojë mbrojtja e Fatmir Beltashit, Xhimi Begejës dhe Andia Pustinës.
Seanca pritet të zgjasë deri në orën 16:00, kur përfundon edhe orari zyrtar i gjykatës.
Një vit më parë Sali Berisha refuzoi të zbatojë vendimin e gjykatës që caktoi ndaj kryetarit të PD masën e sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit. Për këtë arsye SPAK-u kërkoi ashpërsim të masës së sigurisë dhe lideri i opozitës Sali Berisha u izolua në shtëpi përreth 11 muaj.