Politikë

Berisha publikon video: Paratë që shpërndahen për vota në Tiranë

Shkruar nga Liberale

Berisha publikon video: Paratë që shpërndahen për vota

Berisha me akuza të forta: Qeveria bleu vota me para në dorë në Babrru – Publikon videon si provë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë një tjetër denoncim të ashpër ndaj qeverisë, duke e akuzuar për manipulim të zgjedhjeve përmes blerjes së votës dhe përdorimit masiv të fondeve publike gjatë fushatës. Në një deklaratë për mediat, Berisha publikoi një video që, sipas tij, tregon momentin kur shpërndahen para në këmbim të votës në zonën e Babrrusë, në Tiranë.

“Narkoqeveria e Edi Ramës nuk u mjaftua me shpërndarjen e 76 milionë eurove për pensionistët, që përbëjnë 48% të votuesve, apo me faljen e 200 milionë eurove në gjoba dhe kamata,” – deklaroi Berisha. Ai akuzoi qeverinë për një përdorim të strukturuar të burimeve shtetërore në funksion të fushatës zgjedhore, përfshirë punësime të përkohshme, legalizime dhe certifikata pronësie, si dhe përdorimin e mjeteve shtetërore.

Sipas Berishës, veprimet më të rënda kanë qenë blerjet e drejtpërdrejta të votës me para në dorë. “Edhe pse këto veprime bëhen në fshehtësi të madhe, qytetarë të vëmendshëm kanë arritur të kapin në kamera momentin kur ndahen para për zgjedhësit,” – shtoi ai.

Ngjarja, që Berisha e cilëson si një “krim elektoral të strukturuar”, nuk ka ndodhur në zona të thella apo të izoluara, por në vetë kryeqytetin. “Kjo ndodhi në Tiranë, në Babrru. Urdhëroni videon,” – theksoi ai, duke e prezantuar si provë të manipulimit zgjedhor.

Opozita ka paralajmëruar se këto materiale do t’i dorëzohen institucioneve përkatëse të drejtësisë, ndërsa kërkon një hetim të pavarur për të gjitha rastet e dyshuara të shit-blerjes së votës.



Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH