Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka ndarë foto nga vizita në Washington DC, së bashku me një delegacion nga Kuvendi i Shqipërisë, ku kanë zhvilluar një takim në Departamentin e Shtetit me të dërguarin për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof.
Megjithë shpresat e PD-së për administratën e re që t’i heqë “non grata-n” Berishës, nga Departamenti i Shtetit, zyrtari i lartë e ka pritur Gazment Bardhin bashkë me Damian Gjiknurin dhe deputetë të tjerë.
“SHBA mbetet aleati ynë kyç dhe shqiptarët janë me fat që i kanë pasur gjithmonë në krah. Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, duhet t’u qëndrojë standardeve të një vendi demokratik, duke nisur me garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe të punojë me vendosmëri për t’u bërë pjesë e BE-së,” – shkruan më tej Gazment Bardhi.
Fushata elektorale ka nisur thuajse nga të gjitha forcat politike dhe vëmendja më e madhe e drejtuesve kryesorë të partive është përqendruar tek takimet me elektoratin apo diasporën. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar numrin 2 të PD të zhvendoset për takime në Washington. Burime bëjnë të ditur se bashkë me zotin Bardhi drejt Amerikës ka fluturuar edhe Jorida Tabaku. Të dy priten të kenë takime me shoqatën Vatra dhe shqiptarë që jetojnë në SHBA.