Politikë

Asambleja Kombëtare bullgare: Shqipëria ka mbështetjen tonë për anëtarësimin në BE

Shkruar nga Liberale

Asambleja Kombëtare bullgare: Shqipëria ka mbështetjen tonë

Shqipëri–Bullgari: Mbështetje e fortë për integrimin europian dhe nxitje e bashkëpunimit dypalësh

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, priti sot në një takim zyrtar homologen e saj bullgare, Nataliya Kiselova, Kryetare e Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë. Gjatë një konference për shtyp pas takimit, Spiropali vlerësoi angazhimin e Bullgarisë në mbështetje të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

“Mbështetja e Bullgarisë, përfshirë atë të Kryetares Kiselova, është një sinjal inkurajues për integrimin tonë europian,” u shpreh Spiropali. Ajo theksoi se kjo mbështetje përputhet me prioritetet e Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, dhe apeloi për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, duke vënë në dukje ndikimet që lufta në Ukrainë ka pasur në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

Spiropali nënvizoi rëndësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve përmes dialogut dhe vlerave europiane, duke theksuar se rruga e rajonit drejt BE-së është e bazuar në meritë. Ajo shtoi se Shqipëria mbështet integrimin edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë takimit, dy kryeparlamentaret u shprehën të përkushtuara për forcimin e bashkëpunimit parlamentar mes dy vendeve, përmes grupeve të miqësisë dhe komisioneve parlamentare.

Në deklaratën e saj, Spiropali përmendi gjithashtu bashkëpunimin e frytshëm mes Shqipërisë dhe Bullgarisë si vende anëtare të NATO-s dhe në kuadër të nismave rajonale si Procesi i Berlinit, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal dhe Bashkëpunimi Ekonomik i Detit të Zi.

Nga ana ekonomike, ajo theksoi rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve tregtare dhe të investimeve, ndërsa përmendi Planin e Përbashkët të Veprimit për Turizmin, të nënshkruar në tetor 2024, si një hap domethënës që mund të pasohet nga bashkëpunime të tjera në fusha strategjike, përfshirë Korridorin 8 dhe infrastrukturën energjetike e të qëndrueshme.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH