Kryeministri Edi Rama ka uruar sot 34-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, duke theksuar kontributin e çdo anëtari dhe mbështetësi në rrugëtimin drejt integrimit evropian.
Përmes një mesazhi të publikuar me simbolikën e flamurit socialist, Rama vlerësoi “856 mijë e 177 zemrat që u bashkuan për Shqipërinë 2030 në BE”, duke e konsideruar këtë si një moment historik ku simboli i PS është “ngjitur më lart se asnjëherë”.
Ai përshëndeti anëtarët e partisë dhe shprehu urime për të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve politike.
“Mirëmëngjesi dhe me këtë simbol të flamurit të socialistëve e progresistëve shqiptarë, që në këtë 34 vjetor të valëvitjes së tij është ngjitur më lart se asnjëherë falë 856 mijë e 177 zemrave, të cilat u bënë bashkë për Shqipërinë 2030 në BE, ju uroj gëzuar ditëlindjen e Partisë Socialiste të gjithë anëtarëve të familjes sonë të madhe politike, si edhe një ditë të mbarë të gjithë të tjerëve pa përjashtim”, shkruan shefi i qeverisë.