Policia e Vlorës ka arrestuar në flagrancë një 46-vjeçar, pasi akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetueses së tij dhe e kanosi atë, me thikë, që të tërhiqte kërkesën për t’u pajisur me urdhër mbrojtjeje ndaj tij.
“Ndërhyrja e shpejtë dhe veprimet profesionale të shërbimeve të Policisë parandalojnë përshkallëzimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale në një familje, në fshatin Fitore.
Kapet dhe vihet në pranga 46-vjeçari që ushtroi dhunë fizike ndaj bashkëjetueses së tij dhe e kanosi atë, me mjet prerë (thikë), që të tërhiqte kërkesën për t’u pajisur me urdhër mbrojtjeje ndaj tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë kanë ndërhyrë menjëherë pas marrjes së njoftimit për një rast dhune në një familje në fshatin Fitore, njësia administrative Novoselë, bashkia Vlorë. Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. S., 46 vjeç, banues në fshatin Fitore, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetueses së tij dhe e ka kanosur atë, me mjet prerës (thikë), që ajo të tërhiqte kërkesën për t’u pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 46-vjeçarit, në momentin e arrestimit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan mjetin prerës (thikë) me të cilin ai dyshohet se ka kanosur bashkëjetuesen”, njofton policia.