E ardhmja e arsimit dhe e edukimit sa vjen dhe po shkon drejt sistemit online. Pandemia e kushtëzoi një të tillë kudo si e vetmja mundësi, por edhe pas hapjes, nxënësit dhe studentët që marrin njohuri përmes sistemit online po shtohen pas çdo viti.
Në vitin 2024, përdoruesit e internetit në BE ndoqën më shumë kurse online sesa në vitin e kaluar. Irlanda kishte përqindjen më të lartë të nxënësve që mësimin e merrnin përmes internetit, e ndjekur nga Holanda dhe Finlanda.
Rreth 33% e përdoruesve të internetit në BE ndoqën kurse online ose përdorën materiale mësimore, në internet në vitin 2024.
Sipas shifrave të fundit të Eurostat-it, kjo e dhënë shënon një rritje prej 3% nga viti 2023, çka tregon edhe një tendencë në rritje të vazhdueshme të së ardhmes së edukimit.
Të dhënat e Eurostat: Përdorimi i kurseve online për materiale mësimore, sipas vendeve, në vitin 2024
Irlanda regjistroi përqindjen më të lartë të përdoruesve të internetit të angazhuar në mësimin online me 61%, e ndjekur nga Holanda me 59% dhe Finlanda me 53%.
Në të kundërt, arsimi online ishte dukshëm më pak i zakonshëm në Rumani me 10%, Qipro me 11% dhe Bullgari me 17%.
Kur analizohen metoda specifike të mësimit në internet, 18% e përdoruesve të internetit ndoqën një kurs online në vitin 2024, i cili i referohet një serie të planifikuar aktivitetesh mësimore, për një temë specifike që rezulton në një kualifikim ose certifikatë frekuentimi. Normat më të larta ishin në Irlandë me 36%, dhe Finlandë dhe Spanjë, të dyja me 32%.
Në të njëjtën kohë, 29% e përdoruesve të internetit përdorën materiale mësimore online, që i referohen materialeve për qëllime edukative, profesionale apo private. Përqindja më e lartë ishte në Holandë me 53%, Irlandë me 52% dhe Finlandë me 46%.
Inteligjenca Artificiale, siguria kibernetike dhe marketingu dixhital janë ndër kurset më të kërkuara në internet në vitin 2024. Rreth 40% e kurseve kryesore të vitit 2024 mësojnë "AI" (inteligjenca artificiale), duke e forcuar atë si një aftësi të domosdoshme për të gjithë punëtorët.
Përveç përmirësimit të AI, kurset në internet përdoren gjithashtu për të përmirësuar aftësitë e fituara, ose thjesht për të kënaqur kureshtjen e njerëzve. Sipas një prej ofruesve të njohur të kurseve në internet Coursera, nxënësit po zgjedhin gjithnjë e më shumë përmbajtje të fokusuar në role për t'u përgatitur më mirë për punë specifike.
Megjithatë, pavarësisht rritjes së përgjithshme të normave të mësimit online në BE, ndjekja e një kursi online mbetet aktiviteti më pak i popullarizuar në mesin e përdoruesve të internetit.
Vetëm 17% e qytetarëve të BE-së të moshës 16 deri në 74 vjeç e kanë përdorur internetin për kurse online, ndërsa 17% e tjerë kanë marrë pjesë në mësime për qëllime private.
Shumica e njerëzve e përdorin internetin kryesisht për komunikim: 85% e përdorin atë për telefonata, video thirrje ose mesazhe, ndërsa 80% e përdorin për email.