Ekonomi

REPORTAZH/ Biznesi i dhëndrit të ish-presidentit të SHBA-së në bunkerët e Enver Hoxhës

Shkruar nga Liberale

REPORTAZH/ Biznesi i dhëndrit të ish-presidentit të SHBA-së

Nëse ka diçka që përmbledh historinë e ishullit është ky ditar ushtarak, i braktisur në një kullë vrojtimi në majë të kodrës.

Në verën e vitit 2015, Sazani, ky ishull i pabanuar shqiptar dhe baza e nëndetësëve ish-sovjetike në Ngushticën e Otrantos, do të priste turistët e tij të parë, për të kuptuar të kaluarën e tij, veçanërisht atë të periudhës së Luftës së Ftohtë. Auron Tare, një ish-deputet dhe më pas specialist i trashëgimisë kulturore të vendit, tregon shënimet e zbuluara në atë ditar.

"Çdo ditë, për vite më radhët, ushtarët vunë re se nuk kishte asgjë për të raportuar. Ata ndodheshin në këtë pikë, në perëndim të ishullit, me një pamje madhështore të Italisë dhe Korfuzit, në pritje të një armiku të padukshëm që jo vetëm nuk kishte ardhur, por më e keqja ishte se i kishte harruar”, thotë Tare.

Gjashtë vjet më vonë, ai mori Jared Kushner dhe Ivanka Trump në një turne në bregdetin shqiptar. Më pas ata vizituan Sazanin për rreth tre orë. Ata panë kazermat e rrënuara ushtarake, artilerinë dhe tunelet e fshehta. Shumë vite pas rënies së Enver Hoxhës, mbetjet e regjimit komunist mbeten në vend, të paprekura, duke krijuar kështu një muze të hapur. “Është ndoshta toka më e fortifikuar në Shqipëri”, thotë Tare për Kathemirini. “Ishulli ka shtatë linja mbrojtjeje, llogore, bunkerë, një rrjet të gjatë tunelesh dhe strehimoresh në rast luftë bërthamore”.

Në vizitën e vitit 2021, siç pretendon Tare, dhëndri i ish-presidentit amerikan nuk ka shprehur asnjë interes për investim. Megjithatë, Sazani është tashmë në qendër të vëmendjes për synimin e Kushnerit për ta kthyer atë në një resort turistik, duke ndërtuar një hotel luksoz dhe vila.

Plani është ende në fillime dhe shumë pak detaje janë mësuar. Mirëpo, debati është ndezur brenda vendit, jo vetëm për ndryshimin e peizazhit, por edhe për mënyrën sesi ndërthuret politika e jashtme me interesat e biznesit dhe si Shqipëria po përpiqet të tërheqë kapitalin e huaj, duke promovuar produktin e saj turistik me një interes shumë të ulët.

Mungesa e transparencës

Një nga politikanët e opozitës që ka shprehur rezerva për projektin është deputeti i pavarur Agron Shehaj. “Unë jam pro investimeve dhe zhvillimit të turizmit në Shqipëri, veçanërisht nëse aty përfshihen investitorë të huaj seriozë dhe me përvojë”, deklaron ai. “Për Sazanin, megjithatë, nuk kemi asnjë dokument apo informacion zyrtar nga një autoritet shtetëror. Kjo mungesë transparence ngre dyshime se kjo është një marrëveshje personale e kryeministrit shqiptar për të fituar kapital politik”, thotë ai.

Kushner, i cili është takuar edhe më parë me kryeministrin shqiptar Edi Rama, ka deklaruar për The New York Times se nuk ka përfituar falë pozicionit të tij si këshilltar në Shtëpinë e Bardhë dhe as nuk ka ndërmend të kthehet në politikë edhe nëse Trump fiton edhe njëherë si President i SHBA-së. “Askush nuk ka “bërë” marrëveshje”, ka theksuar ai.

REPORTAZH/ Biznesi i dhëndrit të ish-presidentit të SHBA-së

Përveç Shqipërisë, Kushner ka shprehur një interes të fortë edhe për Serbinë, ndërsa Richard Grenell, ish-ambasador i SHBA-së në Gjermani dhe i dërguar i posaçëm për Ballkanin nën drejtimin e Trump, konsiderohet një figurë kyçe në planet e tij. Në intervistat për mediat shqiptare, Grenell lavdëron Ramën, e quan atë një “vizionar” dhe ka folur gjatë për përpjekjet e tij për të tërhequr investitorë strategjikë në vend. Grenell ka pohuar se nuk ka sfond politik për këtë plan biznesi. “Kam kaluar shumë vera në bregdetin shqiptar dhe janë të mrekullueshme, më të mira se Greqia apo çdo vend tjetër që vizitojnë amerikanët”, tha ai së fundmi.

Megjithatë, amerikanët nuk janë të vetmit të interesuar. Qeveria e Arabisë Saudite është fokusuar tashmë në rajonin e gjerë duke investuar miliona në projekte infrastrukturore për furnizimin me ujë, energji elektrike dhe kullimin e zonave bregdetare në Vlorë, prej nga nisen anijet turistike për në Sazan. Nga viti 2021, në Vlorë po ndërtohet edhe një aeroport i ri ndërkombëtar. Nëntorin e kaluar, Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara e renditi Shqipërinë të tretën në botë, si një prej vendeve me rritjen më të shpejtë të turizmit.

REPORTAZH/ Biznesi i dhëndrit të ish-presidentit të SHBA-së

Ishulli i Sazanit

Ishulli i Sazanit ka një sipërfaqe prej 5.7 kilometrash katrorë dhe shtrihet në hyrje të Gjirit të Vlorës. Aty ende ka tunele dhe llogore nga koha kur ishte bazë ushtarake për t’u bërë ballë sulmeve nukleare nga Perëndimi.

Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë ishulli i Sazanit ka shërbyer si bazë ushtarake detare ku ishin vendosur kryesisht anijet luftarake, artileria bregdetare etj. Gjatë asaj periudhe ishulli ka qenë i banuar nga rreth 10 mijë banorë të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull.

Porti i vogël i Sazanit u ndërtua gjatë pushtimit të italianëve pas Luftës së Parë Botërore dhe u zgjerua nga rusët në vitet 1960 duke i dhënë karakterin e një porti ushtarak.

Ndërtesat e banimit, kopshti i fëmijëve, spitali dhe shkolla u ndërtuan gjatë kohës së komunizmit. Godinat janë edhe sot të rrethuara nga një bimësi e harlisur. Vetëm kur zbret në ishull kupton se ky reliev kodrinor nuk është i zhveshur.

Familjet e ushtarëve, admiralëve dhe gjeneralëve mbushën ishullin. Jeta e njerëzve lulëzoi midis luftës për të siguruar energji elektrike dhe ujë të pijshëm. Megjithatë, për pjesën tjetër të Shqipërisë, Sazani ishte një vend misterioz dhe legjendë. Për njerëzit që nuk kishin lidhje me jetën në ishull, kjo ishte një zonë e kufizuar./Përgatiti Liberale.al (R.D)/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH