Kursi i këmbimit Euro-Lek i është kthyer përsëri rënies në dy javët e fundit. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, të martën Euro u këmbye me 103.29 lekë, niveli më i ulët që prej 20 dhjetorit të vitit të kaluar.
Që nga fillimi i vitit 2024 deri në fillim të marsit, kursi i këmbimit të Euros ishte shfaqur i qëndrueshëm pranë nivelit të 104 lekëve. Megjithatë, me afrimin e fundit të tremujorit të parë, tendencat e mbiçmimit të Lekut po përtërihen përsëri. Kursi i këmbimit Euro-Lek aktualisht paraqitet në rënie vjetore me 9.7%.
Në fakt, një tendencë e ngjashme ndodhi edhe vitin e kaluar, por rënia e kursit të Euros nisi pak më vonë, në javën e fundit të marsit dhe u theksua më tej gjatë muajit prill.
Nëse tendencat e vitit të kaluar do të përësëriten, është e pritshme që rënia e kursit Euro-Lek të vazhdojë më tej gjatë tremujorit të dytë të vitit.
Mes fundit të marsit dhe fundit të prillit 2023, kursi i këmbimit Euro-Lek pësoi rënie me pothuajse tre pikë, nga niveli i 114 lekëve, pranë nivelit të 111 lekëve.
Deri tani, të dhënat e tregtisë së jashtme kanë treguar një përkeqësim të bilancit tregtar në mallra. Për periudhën janar-shkurt, deficiti tregtar arriti në 72 miliardë lekë, në rritje me 53% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, bilanci i jashtë në mallra jep vetëm pjesërisht një tablo të ecurisë së pozicionit të jashtë të ekonomisë dhe ka një domethënie gjithnjë e më të ulët për kursin e këmbimit. /Monitor/