Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në fshatin Baltëz të Fierit, ku raportohet se gjatë një konflikti të çastit shtetasi A.M, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Nevruz Cenalia, polic i forcave "Shqiponja", rreth 28 vjeç.
Burime për mediet bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur pas një sherri të momentit dhe polici ka qenë jashtë shërbimit.
Ndërkohë nuk dihen më shumë detaje lidhur me rrethanat e ngjarjes apo dhe autorin/autorët. Forca të shumta policie janë nisur drejt vendngjarjes, ku kanë rrethuar zonën me shirita sigurie.
Sipas informacioneve paraprake, në momentin e ngjarjes, efektivi ishte jashtë shërbimit, por i veshur me uniformën e policisë. Autori është larguar me makinë, në drejtim të paditur nga vendi i ngjarjes dhe autoritetet janë vënë në ndjekje të tij.
NJOFTIMI I POLICISË:
Rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi A. M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin Novruz Cenalia, punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin.
Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit.
Grupi hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.