Edhe pse na ka lehtësuar shumë jetën, interneti vazhdon edhe të vështirësoje jetën e shumë individëve.
Të gjithë e dimë se sa e thjeshtë është të hapësh një profil në rrjetet siociale dhe të ushtrosh aty aktivitete të ndryshme, qoftë edhe të paligjshme. Mirëpo sociologët gjithashtu thonë se mungesa e informacionit për një platformë të adresimit të ngjarjeve (komenteve negative, hate speach, kërcënimeve me foto dhe mesazhe etj) në rrjetet sociale i ka bën ato të mbesin të fshehura dhe të mos bëhen publike. Nisur nga ngjarja e fundit ku një 27 vjeçare dyshohet se kreu vetëvrasje nga presioni dhe shantazhet pas një njohje në rrjetet sociale, sociologia Marsi Simo, e pyetur nga Liberale.al, u shpreh:
“Kjo ngjarje është mes shumë të tjerave të cilat nuk bëhen publike, mbahen të fshehura sepse ka mungesë informacioni se ku mund të adresohen këto probleme, por dhe mos njohje të çështjeve të privatësisë. Pavarësisht se ligjet janë përshtatur me kërkesat e kohës që lidhen me teknologjinë, shumë njerëz nuk e kanë idenë se ashtu si në jetën reale dhe në atë virtuale nuk mund të ofendosh, kërcënosh, dhunosh etj. Ka persona të cilët fshihen pas një profili të rremë dhe realizojnë hakmarrjet e tyre ose dhe thjesht keqdashjen e tyre. Madje në jetën reale mendoj se nuk do kishin guxim t’i bënin këto veprime. Interneti e ka lehtësuar procesin e gjuhës së urrejtjes, por nga ana tjetër e bën dhe më të vështirë, sigurisht jo të pamundur, gjurmimin e dhunuesve/kërcënuesve,”- thotë për Liberale.al sociologia Marsi Simo.