Në Shëngjin, disa operatorë privat, kryesisht beach bare, kanë vendosur çadra dhe shezlongë në zona të plazhit pa leje dhe në kundërshtim me rregullat e vendosura për stacionet e plazhit. Për këtë arsye, autoritetet kanë nisur masa administrative dhe kanë ndërhyrë për të hequr shezlongët e paligjshëm.
Aksioni u zhvillua nga Policia Bashkiake, inspektorët e mbrojtjes së territorit dhe shërbime të tjera vendore, të cilët u mbështetën edhe nga Policia e Shtetit. Fillimisht, kontrolli u fokusua në zonën e Ranës së Hedhun, ku u gjetën shkelje të shumta, ndërsa nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Fatjon Zefi, paralajmëroi se kontrolli do të shtrihet në gjithë vijën bregdetare të Shëngjinit.
Bashkia i ka bërë thirrje bizneseve të respektojnë rregullat dhe të bashkëpunojnë me institucionet, për të garantuar një sezon turistik të rregullt dhe të sigurt për pushuesit.
Aktualisht janë miratuar vetëm 50 stacione plazhi, të cilat janë dedikuar vetëm për bizneset hoteliere, një numër tre herë më i ulët se vitin e kaluar, kur menaxhimi i bregdetit ishte në duart e operatorëve privatë.