Në prag të takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, ambasadori amerikan në Aleancë, Matthew Whitaker, theksoi unitetin dhe fokusin e NATO-s drejt samitit të korrikut në Hagë. SHBA do të përfaqësohet nga sekretari i mbrojtjes, Pete Hagseth, i cili do të shtjellojë prioritetet amerikane në këtë moment vendimtar për besueshmërinë e Aleancës.
Në qendër të diskutimeve do të jetë kërkesa që çdo vend aleat të angazhohet për të investuar të paktën 5% të PBB-së në mbrojtje, si një përgjigje ndaj rritjes së kërcënimeve globale. Whitaker tha se kjo nuk është më një sugjerim, por një domosdoshmëri për të garantuar parandalim efektiv.
Ai vlerësoi ndikimin e lidershipit të presidentit Trump në ndryshimin e qasjes ndaj ndarjes së barrës së shpenzimeve në NATO, duke theksuar progresin që kanë bërë shumë vende për të kaluar nivelin 2% të PBB-së. Megjithatë, ai theksoi se përballja me kërcënimet aktuale kërkon forca moderne, industri mbrojtjeje të fuqishme dhe kapacitete të shtuara operative.
/S.B/Liberale.al/