Aktualitet

PROFIL/ Gledis Nano, i fundit në garë për drejtuesin e parë të BKH-së

Shkruar nga Liberale

PROFIL/ Gledis Nano, i fundit në garë për drejtuesin e parë

Ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, në ditën e fundit të afatit të aplikimeve dorëzoi kandidaturën për drejtues të BKH, dhe shihet si favorit

Jon Keta, zëvendësdrejtori aktual i BKH-së, ka dorëzuar po ashtu zyrtarisht kandidaturën për të pasuar në detyrë Aida Hajnajn, mandati i së cilës përfundon më 31 gusht.

Përveç tij dhe ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, në total, mësohet se pak orë para se të skadonte afati kanë aplikuar katër persona.

Filtri i vetingut i vlerësoi të justifikuara pasuritë e tij duke i dhënë Gledis Nanos para se të drejtonte Policinë e Shtetit “diplomën” e ndershmërisë, më e rëndësishmja se të gjitha kualifikimet.

I lindur më 26 gusht të vitit 1981 në Shkodër me orgjinë nga Skrapari u diplomua në vitin 2002 me rezultate të shkëlqyera në Akademinë e Rendit “Arben Zylyftari” , Tiranë pas 3 vite studimesh. U regjistrua në vitin 1999 me dëshirën maksimale për t’u bërë pjesë e policisë por kurrë nuk parashikoi se do të ishte ai që do ta drejtonte policinë pas 22 vjetësh. Për këtë nuk mjaftoi vetëm diploma e policisë. Studioi dhe u diplomua si jurist në vendlindjen e tij në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër dhe po aty u diplomua master po si jurist.
Nga inspektor i krimeve në Drejtorinë e Policisë së Korçës, më pas inspektor i krimeve në Komisariatin numër tre në Tiranë dhe më pas shef i krimeve po në këtë komisariat. Pasi mori jo pak vlerësime teksa mbante këtë detyrë ai u emërua shef i Seksionit të vrasjeve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Më pas deri në vitin 2013 ai ka qenë shef i seksionit të vrasjeve në Policinë e Vlorës. Fillimisht u emërua specialist në Drejtorinë e Antiterrorit në Policinë e Shtetit dhe më pas kordinator në këtë drejtori. Më pas ka qenë nëndrejtor dhe për katër vite nga vitit 2017 e deri kur mori drejtimin e Policisë së Shtetit ka qënë drejtor i kësaj drejtorie.

Për SHBA ai ishte njeriu i duhur për të drejtuar anti-terrorin, sektori kyç i sigurisë në marrëdhëniet me partnerin më të rëndësishëm strategjik të Shqipërisë.

I projektuar nga amerikanët dhe i mbështetur po prej tyre Gledis Nano u bë drejtori i 17-të i përgjithshëm i Policisë së Shtetit që pas rrëzimit të sistemit komunist.

Nano e drejtoi Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për një periudhë 10-mujore, nga tetori 2021 në gusht 2022 dhe u largua në mënyrë të papritur.

Ai u shkarkua me vendim të Këshillit të Ministrave, më 31 gusht 2022, me argumentin se nuk kishte përmbushur objektivat e punës. Vendin e tij asokohe e zuri Muhamet Rrumbullaku.

Nano edhe para dhe pas largimit nga drejtimi i Policisë së Shtetit ka marrë vlerësime të vazhdueshme nga SHBA. Madje ka vazhduar edhe trajnime, si duket nga ambicja për një detyrë tjetër që të jetë i pavarur nga qeverisjet dhe “emocionet” politike.

Sot, 6 qershor, ishte edhe dita e fundit për të dorëzuar aplikimet për pozicionin e drejtorit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), një nga postet më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë së re. Nga katër kandidatë e fundit është ajo e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Ndërsa në garë për në Byronë Kombëtare të Hetimit, Komisioni i përzgjedhjes së kandidaturave përbëhet nga kreu i SPAK, Altin Dumani dhe prokurorët e posaçëm Arben Kraja dhe Behar Dibra.

Referuar dispozitave ligjore, të drejtën për të aplikuar në pozicionin e drejtorit të BKH-së, e kanë vetëm kandidatët që janë shtetas shqiptarë, me cilësi të larta profesionale dhe morale, dhe që plotësojnë disa kritere.
Që nga eksperienca si prokuror, punonjës i Policisë së Shtetit apo hetues, e deri te kushti që të mos ketë mbajtur ndonjëherë funksione politike. Gledis Nano u regjistrua në ditën e fundit të afatit, për të qenë drejtues i parë i BKH-së.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH