Tradita mediatike e do, që në këtë kohë të vitit, bashkë me bilancet në fushat e tjera të shoqërisë, të spikasin edhe disa figura, që mund të konsiderohen si personazhet e vitit.
Edhe këtë radhë, media “Liberale” nuk ka preferuar të tradhtojë traditën e saj, duke vendosur t’i përzgjedhë vetë ata që kanë spikatur më shumë se kushdo tjetër në shoqëri, pa ua lënë në dorë publikut, peshën e kontributeve a performancës së tyre.
Si më poshtë vijon, po ju prezantojmë, një e nga një, ata që kanë spikatur më shumë në veprimtari, që kanë qenë në dritën e prozhektorëve të medias e opinionit publik...
SIPËRMARRJA
Dr.Constantin von Alvensleben
Motivacioni: Me drejtimin profesional të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, tejkaloi shifrën 10 milionë pasagjerë, ende pa u mbyllur viti 2024, duke vendosur kështu një rekord historik. Nën drejtimin e Alvensleben, TIA shënohet si aeroporti me rritjen më të shpejtë në Europë që nga pandemia.
INFLUENCER
Arbana Osmani
Motivacioni: Produksioni i saj më i ri në YouTube, shënoi rekordin e saj historik të karrierës, duke thyer çdo parashikim të hamendësuar më parë për një podcast/live show pa mbështetje televizive.
POLITIKË
Elisa Spiropali
Motivacioni: Kryetarja më e re e Kuvendit është politikania me hopin më të madh të karrierës këtë vit. Përfaqësuese e brezit të ri, sot numri dy i shtetit, kumton një ambicie të politikës shqiptare që ky brez më në fund ta thotë fjalën e tij, 35 vjet pas rënies së komunizmit.
SHOQËRIA CIVILE
Migen Qiraxhi
Motivacioni: Angazhimi i tij në shoqërinë civile prej vitit 2008, me fokus trajtimin e së kaluarës komuniste, e ka rrështuar prej 16 vitesh në vijën e parë të frontit të rezistencës qytetare, duke i dhënë jo vetëm drejtim profesional shumë kauzave shoqërore, por edhe tharmin rinor që nesër nervi i protestës apo reagimit qytetar, kundrejt padrejtësive të disallojshme të mos vdesë.
INOVACIONI
Arbër Kadia
Motivacioni: Krijimi i aplikacionit Patoko, mund të konsiderohet historia e një udhëtimi të guximshëm, i cili nga një aplikacion lokal u shndërrua në një platformë globale që synon të bëjë më shumë se thjesht rolin e një taksie- duke arritur kështu të ndërtojë komunitete më të lidhura dhe më të qëndrueshme.
MEDIA
Jonida Shehu
Motivacioni: Rrugëtimi progresiv në drejtimin e disa emisioneve televizive në Vizion Plus, Top Channel, AbcNews, shënoi kulmin e karrierës për të pas tre viteve me emisionin e saj në Euronews.
SHKENCA
Marenglen Kasmi
Motivacioni: Për analizën profesionale në botimin e fundit të Akademisë së Studimeve Shqiptare mbi “Të rënët e Luftës së II Botërore pa dallim kombësie, feje, krahine, ideje”, në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit, një studim ky që hedh dritë mbi fakte të rëndësishme për luftën e popullit shqiptar ndaj pushtuesve.
SPORTI
Myrto Ozuni
Motivacioni: Sulmuesi kuqezi është ngjitur në fillim të dhjetorit në kuotën e 46 golave, si asnjë lojtar tjetër i huaj në historinë e klubit spanjoll. Ai kryeson aktualisht listën e golashënuesve në La Liga 2 të Spanjës me 14 gola këtë sezon.
AUTOR
Sokol Balla
Motivacioni: Për librin e tij më të ri “Koli i Bardhës shkon në Afrikë”, mbi dëshminë e jetës së shfaqur në dy botë të ndryshme dhe mundësisë që na u dha për t’i krahasuar këto dy botë: botës së cilës i përkisnim dhe botës të cilën deri diku e ndërtuam vetë.
LETËRSIA
Dionis Prifti
Motivacioni: Në korrik të 2024 u shpall fitues i një prej çmimeve më të rëndësishme të letërsisë shqipe, “Çmimi Kadare”, një çmim i cili prej dhjetë vitesh ruan koherencën, si dhe vijimësinë.
/Liberale.al