GJKKO dënoi ish-kreun e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Elbasan, Andri Mehja, pasi mori para për të favorizuar një ndërtim pa leje. Gjykata e Posaçme e ka dënuar me dy vite burg për korrupsion Andri Mehjan, dënim që i konvertohet në 4 vite shërbim prove.
Njoftimi i GJKKO:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale, që i përket procedimit penal nr. 94, të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve Andri Mehja dhe Gentian Bako, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 259 paragrafi i dytë dhe 25 të K.Penal”. 2.
Gjykimi i kësaj çështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Erjon Bani dhe Rudina Palloj, me vendimin Nr. 32, datë 25.04.2025 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Andri Mehja, për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 259 paragrafi i dytë dhe 25 të K.Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
2. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 2 (dy) vite burgim.
3. Në aplikim të neneve 30/1, 35, të Kodit Penal, dhënien e një dënimi plotësues, heqjen e së drejtës për të pandehurin Andri Mehja, për të ushtruar funksione publike, për 5 (pesë) vjet.
4. Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të mëtejshëm të vendimit me burgim për të pandehurin Andri Mehja, duke u detyruar që të mbajë kontakte me zyrën vendore të Shërbimit të Provës Elbasan.