Shqiptari kapet me 25 kg kokainë në Itali – armë, para dhe celularë të enkriptuar mes sendeve të sekuestruara
Një operacion i zhvilluar nga Guardia di Finanza në Perugia ka çuar në një goditje të madhe ndaj trafikut të drogës në zonat e Spellos dhe Folignos. Autoritetet italiane arrestuan një shtetas shqiptar, i dyshuar si pjesë e një rrjeti të mirëorganizuar që merrej me trafikun e kokainës në pjesë të ndryshme të provincës.
Hetimi nisi pas disa javësh ndjekjeje dhe vëzhgimi të lëvizjeve të dyshimta të shqiptarit, që sipas policisë ishte identifikuar më herët si i përfshirë në aktivitete kriminale. Ai u ndalua pranë një zone shërbimi në Foligno, ku gjatë kontrollit të mjetit rezultuan të fshehura dy ndarje të modifikuara në mënyrë artizanale nën sediljet e pasme – të aksesueshme vetëm përmes një sistemi të sofistikuar mekanik hapjeje.
Brenda këtyre ndarjeve, u gjetën 10 pako kokaine me peshë rreth 12 kg, si dhe 10 mijë euro cash, që dyshohet të jenë përfitime nga aktiviteti i paligjshëm.
Kontrollet vijuan edhe në dy banesa të lidhura me të arrestuarin në Spello dhe Foligno, ku policia zbuloi edhe 13 kg të tjera kokainë të ndarë në 11 pako, një armë zjarri e vjedhur, 46 mijë euro të tjera në para të gatshme dhe pajisje komunikimi, disa prej të cilave të enkriptuara.
Sasia totale e drogës së sekuestruar, rreth 25 kilogramë kokainë, llogaritet të ketë një vlerë tregu mbi 2.5 milionë euro.
I arrestuari është dërguar në burgun e Spoletos dhe ndodhet në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane.