Aktualitet

Operacion antidrogë në Spanjë/ Deri në 50 të arrestuar në Barcelonë dhe Girona

Shkruar nga Liberale.al

Operacion antidrogë në Spanjë/ Deri në 50 të arrestuar

Autoritetet spanjolle kanë kryer dy operacione të mëdha antidrogë në rajonin e Katalonjës, duke goditur fort grupe të organizuara kriminale që merren me trafik droge dhe armësh. Në këto operacione kanë marrë pjesë mbi 400 efektivë policie dhe janë arrestuar deri në 50 persona.

Operacionet janë zhvilluar në qytetet Barcelonë dhe Girona, ku janë kryer kontrolle në shtëpi dhe depo industriale të dyshuara për kultivim të marijuanës. Policia bastisi disa plantacione të mbyllura dhe kreu 19 kontrolle në të dy zonat. Në total janë arrestuar 28 persona në Barcelonë dhe 22 të tjerë në Girona.

Hetimet janë udhëhequr nga njësitë e specializuara të policisë katalane Mossos d'Esquadra – njëri nga DIC i Barcelonës që ka zgjatur dy vjet dhe tjetri nga DIC i Gironas që ka filluar një vit më parë. Qëllimi i operacioneve ishte goditja e dy rrjeteve kriminale që merreshin me kultivimin dhe shpërndarjen e marijuanës, me plantacione të vogla të shpërndara në disa zona të Katalonjës.

Gjatë operacioneve, policia ka gjetur marijuanë, hashash, heroinë, kokainë, si edhe armë zjarri me municion. Në dy raste, bastisjet janë kryer nga Grupi i Ndërhyrjes Speciale (GEI) për shkak të rrezikut të përballjes me persona të armatosur. Edhe pse grupet nuk merren drejtpërdrejt me trafik armësh, policia dyshon se ata janë të armatosur për t’u mbrojtur nga sulmet e grupeve rivale.

Në Barcelonë, operacioni çoi në shkatërrimin e një organizate që kontrollonte të paktën një plantacion marijuane. Ndërsa në Girona, janë shkatërruar dhjetë plantacione dhe janë sekuestruar sasi të konsiderueshme droge dhe armësh.

Operacionet përfshinë gjithashtu përdorimin e njësive të qenve, dronëve, njësisë mobile dhe forcave speciale. Policia thekson se grupet kriminale përdorin strategjinë e ndarjes së plantacioneve në zona të ndryshme për të vështirësuar hetimet.

Autoritetet spanjolle vazhdojnë hetimet dhe nuk përjashtojnë arrestime të tjera në ditët në vijim.

Liberale Newsroom

A mund të shihen si shpresëdhënës politikanët e rinj për të përmbysur raportin tradicional të dy partive të mëdha në qeverisje prej ‘92?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH