Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Kosovës, Bujar Bukoshi. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi Bukoshin si “një shqiptar të mirë, politikan të rafinuar dhe njeri të ndjeshëm”.
“U prehsh në paqe. Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe Kosovës për humbjen e një shqiptari të mirë”, shkroi Rama.
Bujar Bukoshi ndërroi jetë sot në moshën 78-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Ai ishte lindur më 13 maj 1947 në Suharekë dhe ishte me profesion mjek. Studimet i përfundoi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Beogradit, pas së cilës punoi si mjek në vendlindje.
Bukoshi ka qenë një nga figurat më të rëndësishme politike në historinë e Kosovës. Ai ishte një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës në ekzil gjatë viteve 1991–2000. Më vonë, shërbeu si zëvendëskryeministër në qeverinë e drejtuar nga Hashim Thaçi (2011–2014).