Policia e Shtetit ka njoftuar masat e marra për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit mes Shqipërisë dhe Serbisë, e cila do të luhet nesër në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Sipas deklaratës zyrtare, do të ketë kufizime të pjesshme të qarkullimit në bulevardet “Gjergj Fishta” dhe “Bajram Curri”, sot në orën 16:30 dhe nesër në orën 18:45, kur do të shoqërohet ekipi i Serbisë nga hoteli drejt stadiumit, përkatësisht për stërvitjen zyrtare dhe ndeshjen.
Kufizimet do të zgjasin rreth 25 minuta. Policia apelon për mirëkuptim nga qytetarët dhe tifozët, duke theksuar nevojën për respektimin e udhëzimeve të strukturave të saj në terren.
Çdo veprim që rrezikon rendin dhe sigurinë publike do të përballet me tolerancë zero dhe masat përkatëse ligjore. Angazhimi i strukturave të Policisë është maksimal, me synimin që ky aktivitet sportiv të zhvillohet pa incidente dhe në atmosferë të qetë.