Shefi i Qarkullimit Rrugor në Lezhë, Ismet Sula, është pezulluar nga detyra me vendim gjykate. Ndërkohë, struktura drejtuese e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë është vënë në hetim nga Prokuroria.
Kjo pasi vendimi është marrë nga Gjykata e Lezhës me kërkesë të prokurorit Sabri Kastrati, i cili ka nisur hetimet në lidhje me një aksident të ndodhur pak javë më parë në aksinLezhë-Laç, pranë fshatit Gajush.
Sipas burimeve në medie, në këtë aksident është përfshirë djali i ish-deputetit Tom Doshi, James Doshi, i cili ka përplasur një tjetër mjet ku po udhëtonin një çift bashkëshortësh.
Sipas hetimeve, djali i Tom Doshit ka qenë fajtor, por është ndihmuar dhe favorizuar nga policia pasi e ka lejuar që të largohet nga vendngjarja.
Gjithashtu hetimet zbuluan se policia nuk ka kryer veprimet sipas ligjit.
Ndaj efektivëve të rrrugores është regjistruar procedim penal për "shpërdorim detyre".