Nga 1 korriku 2025, qytetarët që kërkojnë kredi për të blerë prona në Shqipëri do të përballen me rregulla të reja më të ashpra. Banka e Shqipërisë ka miratuar një vendim që kufizon vlerën maksimale të huasë që mund të përfitojnë individët për blerjen e banesave, si pjesë e masave për të frenuar rritjen e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme.
Kredi më e ulët për banesën e parë dhe të dytë
Sipas vendimit, për blerjen e banesës së parë në lekë, qytetarët nuk mund të marrin më shumë se 85% të vlerës së pronës. Për shembull, për një apartament me vlerë 10 milionë lekë, banka do të japë maksimumi 8.5 milionë lekë kredi.
Ndërsa për banesën e dytë, kufizimi shkon në 80% të vlerës së pronës. Po ashtu, kësti mujor për këtë kredi nuk duhet të kalojë 35% të të ardhurave mujore të kredimarrësit.
Nëse qytetarët kërkojnë kredi në valutë të huaj, kushtet janë edhe më të rrepta:
Për banesën e parë, banka nuk do të financojë më shumë se 75% të vlerës së pronës, dhe kësti mujor nuk duhet të kalojë 35% të të ardhurave.
Për banesën e dytë në valutë, kredi maksimale është 70% e vlerës së pronës, dhe kësti mujor nuk duhet të kalojë 30% të të ardhurave mujore.
Pse po vendosen kufizime?
Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e vazhdueshme e çmimeve të apartamenteve në vend është ndikuar në mënyrë të konsiderueshme nga rritja e lehtë e aksesit në kredi. Me këto masa të reja, synohet të frenohet kërkesa spekulative dhe të stabilizohet tregu.
Të dhënat tregojnë një rënie të lehtë të shitjeve: në vitin 2024 u shitën rreth 31 mijë prona, nga mbi 35 mijë që ishin në vitin 2023. Pothuajse gjysma e këtyre banesave janë blerë me kredi.
Vendimi është tashmë i detyrueshëm për të gjitha bankat dhe pritet të ndikojë direkt në mënyrën si qytetarët do të planifikojnë blerjen e banesave në muajt dhe vitet në vijim.