IKMT shemb objekte pa leje në Himarë, ndërhyrje në Jalë dhe Dhërmi – shkarkime në administratën vendore
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka ndërmarrë një operacion për prishjen e ndërtimeve të paligjshme në territorin e bashkisë Himarë. Të dielën në mbrëmje, katër struktura pa leje u shembën në zonën e Jalës, ndërsa këtë të hënë ka nisur prishja e pesë objekteve të tjera në Dhërmi.
Operacioni po zhvillohet me mbështetjen e forcave të policisë, ndërkohë që nuk janë raportuar përplasje apo kundërshtime nga ana e pronarëve të ndërtesave.
Në lidhje me këtë situatë, dhe për të adresuar përgjegjësinë për lejimin e ndërtimeve të paligjshme, kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Tavo, ka ndërmarrë masa disiplinore duke shkarkuar nga detyra punonjës të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në nivel lokal.