Një turiste spanjolle ka pësuar dëmtime në kokë pas një rrëzimi aksidental në plazhin e thepisur të Filikurit, në Himarë. Ngjarja ka ndodhur këtë të premte, rreth orës 16:00, kur është dhënë alarmi për një shtetase të huaj që kishte mbetur e bllokuar në terrenin e vështirë të zonës.
Sipas burimeve zyrtare, Salla Operative njoftoi menjëherë patrullën e rendit të Komisariatit të Policisë Himarë, e cila ka ndërhyrë në kohë rekord, së bashku me disa pushues të rastësishëm.
Turistja, e cila ndodhej në një pozicion të vështirë për shkak të relievit të pjerrët dhe të papërshtatshëm për lëvizje, u ndihmua dhe transportua me ambulancë drejt Qendrës Shëndetësore të Himarës, ku ndodhet aktualisht nën kujdesin e mjekëve.