Prokuroria e Tiranës ka dhënë konkluzionet përfundimtare për dy autorët e dyshuar të vrasjes së biznesmenit Edmond Papa, e ndodhur në dhjetor 2022 në kryeqytet.
Për Andrew Bode, të dyshuarin si ekzekutor të 49-vjeçarit, organi akuzës kërkoi një dënim prej 30 vitesh burg për “vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “mbajtje pa leje të armëve”. Ndërsa për Alban Velo, 30-vjeçarin që u arrestua pak ditë pas ngjarjes, prokuroria kërkoi një dënim prej 25 vitesh burg për po të njëjtën vepër penale.
Prokurori Albert Kulici kërkoi që të dy të pandehurit të vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë, për shkak të rrezikshmërisë që ata paraqesin.
Viktima, Edmond Papa, u ekzekutua më 16 dhjetor 2022, në zonën e Selitës në Tiranë, kur autorët qëlluan 9 herë në drejtim të tij dhe më pas u larguan nga vendi i ngjarjes. Papa ndërroi jetë gjatë transportimit në spital.
Ai ishte një biznesmen me precedentë të mëparshëm në Greqi, i dënuar për trafik droge dhe skeduar më parë në Britani të Madhe. Edmond Papa ishte pronar i hotelit “Blue Sky” në qytetin e Sarandës, dhe vrasja e tij u hetua si një akt hakmarrjeje.