Aktualitet

Dënohet me dy vite burg "Klea Rama", mashtroi qytetarët dhe institucionet duke u shtirur si mbesa e kryeministrit

Shkruar nga Liberale

Dënohet me dy vite burg "Klea Rama", mashtroi qytetarët dhe

Gjykata e Tiranës ka dënuar me dy vite burg Ermes Hoxhallin, i cili premtonte bursa studimi falas dhe udhëtime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke mashtruar zyrtarë të ministrisë së Arsimit përmes falsifikimit të dokumenteve. 

Hoxhalli u dënua për falsifikim dokumentesh dhe falsifikim kompjuterik, ndërsa përfitoi zbritjen e 1/3 së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe përfundimisht do të vuajë 1 vit e 4 muaj burg.

Ai krijoi një identitet të rremë si "Klea Rama" dhe prezantohej si mbesa e kryeministrit Edi Rama, duke u prezantuar si një diplomate të lartë e Ambasadës.

Gjithashtu i riu pretendonte se ishte udhëheqës i një projekti për të rinjtë dhe 19 certifikata pjesëmarrjeje për nxënës dhe të paktën një mësues të shkollës së Mesme “Ali Demi”, Vlorë.

“Nëpërmjet identitetit të krijuar si Klea Rama, pretendoi se ishte iniciator i projektit “Let’s talk together aboutUS’24” që mbulon Shqipërinë dhe ka për qëllim informimin e studenteve shqiptarë rreth studimeve në Shtetet e Bashkuara, për t’i aktivizuar ata në këto projekte dhe mbështetur disa me shuma financiare nëse kalojnë vlerësimet në kolegje Amerikane”, tha organi hetues.

Dokumentet e falsifikuara si certifikatat, vulat, firmat, logot, foto dhe videot e këqyrura dhe të sekuestruara nga Prokuroria Tiranë gjatë hetimeve mbi këtë procedim penal, iu gjetën shtetasit Ermes Hoxhalli në laptopin e tij dhe aparatët celularë.

Po aty u gjet edhe adresa e e-mailit [email protected] me të cilën komunikonte me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit.

Ermes Hoxhalli akuzohet për “Falsifikim kompjuterik” dhe “Falsifikimi i dokumentave”. Ky personazh arriti të depërtonte në Ministrinë e Arsimit, teksa ishin shërbimet e Ambasadës Amerikane që ngritën alarmin.

Vendimi i plotë i gjykatës:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit E. H. për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit E. H për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi kompjuterik”, parashikuar nga neni 186/a/1 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

3. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve të mësipërme, i pandehuri  E. H. dënohet me një dënim të vetëm prej 2 (dy) vjet burgim.

4. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit dhe përfundimisht i pandehuri E.H. dënohet me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim.

5. Në zbatim të nenit 190 të K.Pr.Penale, provat materiale të sekuestruara, aparatet celularë dhe një laptop t’i kthehen të pandehurit.

6. Shpenzimet në fazën e hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqësore në ngarkim të të pandehurit.

7. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 15 ditëve duke filluar ky afat nga dita e nesërme e  njoftimit të vendimit.

U shpall në Tiranë sot më  dt.27.01.2025.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH