Tre persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës për shitjet e jashtëligjshme të biletave, për ndeshjen që do të luhet të shtunën e 7 Qershorit me Shqipërisë dhe Serbisë, në stadiumin "Air Albania".
Sipas burimeve identifikimi i tyre është bërë nga rrjetet sociale pasi reklamonin shitjet e tyre nga 250-500 euro. Mësohet se të arrestuarve u janë gjetur edhe bileta me vete.
Njoftimi i policisë:
Shitën në Instagram, bileta për ndeshjen “Shqipëri–Serbi”, me çmim disa herë më të lartë se ai i përcaktuar nga FShF-ja, arrestohen 3 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2.
Si rezultat i sigurimit të informacionit se në një llogari në rrjetin social “Instagram”, shiteshin bileta për ndeshjen e futbollit “Shqipëri–Serbi”, me çmim disa herë më të lartë se ai i përcaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin “Attention”.
Në kuadër të operacionit, u identifikuan autorët e dyshuar të rastit, shtetasit Ledion Metallari, 34 vjeç, A.T 23 vjeç dhe Ilir Lokaj, 24 vjeç, të cilët u vunë në pranga, si dhe shtetasi E. Sh., 25 vjeç dhe një 16-vjeçar, për të cilët filloi procedimi në gjendje të lirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Manipulimi i tregut” dhe “Fshehja e të ardhurave”.