Një aksident ka ndodhur mëngjesin e së enjtes pranë qytezës së Ulzës. Një automjet tip betoniere ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar disa metra poshtë saj, në një zonë të thepisur.
Ngjarja ndodhi në hyrje të Ulzës, pak mbi nënstacionin e hidrocentralit. Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit. Shoferi i mjetit është dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Fatmirësisht, automjeti është ndaluar në një përrua dhe nuk ka rënë më poshtë, gjë që mund ta kishte bërë aksidentin edhe më të rëndë.
Mësohet se drejtuesi i mjetit po punonte për firmën që po zbaton një projekt për rivitalizimin e vijës liqenore në Ulëz.