Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, teksa ka uruar të gjithë nxënësit që kanë nisur sot vitin e ri shkollor, ka ngritur shqetësimin se këtë vit regjistrimet janë më të ulëta se një vit më parë, fakt që tregon qartazi shpopullimin masiv të vendit.
Shifrat zyrtare flasin për përgjysmimin e gjimnazistëve gjatë tri dekadave të fundit, sikurse edhe nxënësit që do të ulen për herë të para në bankat e shkollës do të jenë gati tre herë më pak se në fillimet e tranzicionit të vështirë.
“Suksese të gjithë fëmijëve dhe të rinjve që kanë nisur sot vitin shkollor”, shkruan Tabaku në reagimin e saj. – “Fatkeqësisht regjistrimet këtë vit shkollor janë thuajse 3 herë më të ulëta se sa një vit më parë duke qenë një tjetër tregues i rënies demografike dhe shkretimit të vendit”.
Emigracioni është faktor kryesor i uljes drastike të nxënësve në ciklin parauniversitar, sikurse renditen si faktorë edhe rënia e lindjeve në dekadat e fundit, apo plakja e popullsisë. Përsa i përket faktori kryesor, atë të emigracionit, qeveria prej 9 vitesh duket se me politikat e saj po kontribuon në shpopullimin e vendit, në vend që të ndjekë politika parandaluese të këtij fenomeni.
“Prej vitesh politikat e qeverisë nuk janë fokusuar në këtë betejë për të ndaluar hemoragjinë e largimit të shqiptarëve. Na duhet punë dhe përkushtim për t’i rikthyer shqiptarët në vendin e tyre, dy cilësi që kjo qeveri dhe mazhorancë nuk i zotëron edhe pse uron përvit prej 8 vitesh vitin e ri shkollor me suksese që patjetër janë imagjinare dhe propagandë për sa kohë numri i nxënësve bie”, shprehet në reagimin e saj, Jorida Tabaku.
/Liberale.al/