Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Shqipëria e treta me çmimet më të shtrenjta të apartamenteve në Europë. Pse?

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Pandemia dhe kriza energjetike pasuan njëra-tjetrën, duke zhytur në krizë ekonomike vendet më të zhvilluara të Europës. Dy krizat e fundit janë shoqëruar me rritje rekord të çmimeve si dhe rënie të fuqisë blerëse, pasojat e së cilës, ashtu si edhe në raste të tjera përjetohen më rëndë, dhe mundet në afat më të gjatë kohe, nga vendet e vogla dhe në zhvillim, si Shqipëria. Kjo për faktin se vende me ekonomi të brishtë si Shqipëria, që vuajnë nga emigracioni i të rinjve, janë indirekt të varura ekonomikisht prej ekonomive të tjera (reflektohet kryesisht kriza përmes emigracionit dhe tregtisë).

Me rënien e ndjeshme të fuqisë blerëse, për të rinjtë shqiptarë të cilët duan ta ndërtojnë jetë në kryeqytet blerja e një apartamenti është bërë gjithmonë edhe më e vështirë, sidomos në Tiranë. Kjo për faktin se çmimet e apartamenteve janë rritur me 40 për qind gjatë dy viteve të fundit, dhe thuajse janë dyfishuar gjatë dekadës së fundit.

Për vitin 2023, Shqipëria renditet e treta në Europë për çmimet më të shtrenjta të apartamenteve në raport me të ardhurat që sigurojnë qytetarët. Të dhënat janë të publikuara nga “Numbeo”, njësia e njohur globale e të dhënave.

Indeksi për përballueshmërinë e bjerrjes së një apartamenti që matet nga raporti i çmimit mesatar të shitjes së shtëpive dhe të ardhurave mesatare të disponueshme të familjeve, e shprehur si vite të ardhurave, për Shqipërinë është rritur në 15,7, nga 14.1 që ishte një vit më parë.

Cilët janë faktorët? Më kryesorja, duket se është sjellja konsumatore dhe e kaluara e përbashkët e rajonit tonë. Çmimi i banesave në raport me fuqinë blerëse, e vendos Shqipërinë në vendin e tretë në Europë, por pas Serbisë që mban vendin e dytë dhe ndiqet shumë pranë nga vendet e tjera kufitare të rajonit tonë, si Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi etj.

Apartamentet mund të duken të papërballueshme për ata të cilët punojnë në Shqipëri, por mund të jenë të përballueshme për emigrantët, me kursimet e të cilëve kërkesa për të blerë një apartament duket se e ngre vazhdimisht çmimin e banesave në tregun e ndërtimeve, sidomos në Tiranë. Faktor tjetër është demografia dhe kultura e ish-vendeve komuniste të bllokut lindor.

Gjatë gjithë viteve të tranzicionit nisi zhvendosja masive e qytetarëve nga zonat rurale në ato urbane dhe veçanërisht drejt Tiranës. Kjo ka bërë që nga dyndja e atyre të cilët duan të jetojnë dhe të punojnë patjetër në Tiranë, duke shitur ose braktisur banesat në zonat e tjera, pavarësisht mungesës së arsimimit profesionit, ta vuajnë rritjen e çmimeve dhe të qirave kryesisht të rinjtë që mbarojnë arsimin e lartë, ose fitojnë një profesion i cili mund të ndiqet vetëm në zonat e zhvilluara urbane.

Një tjetër faktor është se të ardhurat e siguruara në rrugë të paligjshme, kjo për shkak të institucioneve të dobëta ligjzbatuese, shpenzohen për të blerë prona të paluajtshme, kryesisht në zonat e mëdha urbane si Tirana, për faktin se është më e lehtë që të mos kuptohet se cili është investitori.

Sa i përket trendit të rritjes së çmimeve të apartamenteve në raport me të ardhurat e qytetarëve, vendi ynë pozicionohet në rajonin e tij natyral.

Sipas renditjes së përgjithshme, Rusia është në vend të parë, dhe në vend të dytë Serbia.

Pas tyre vjen Shqipëria, Çekia, Hungaria, dhe në vend të pestë Kosova. 10 vendet e para i ndajnë  Bjellorusia, Polonia, Maqedonia e Veriut dhe Sllovakia. Tabela vijon me dy vende të tjera të Ballkanit, Krocia dhe Mali i Zi.

Nga pozitat gjeografike kuptohet se vendet ish-komuniste, ato më të varfra, ose ish-vendet komuniste të bllokut lindor kryesojnë klasifikimin. Kjo, jo për shkak të apartamenteve më të shtrenjta, por sepse qytetarët e tyre i kanë të ardhurat më të ulëta.  /Liberale.al/

Të dhënat marrë nga : https://www.numbeo.com/property-investment/rankings_by_country.jsp?title=2023&region=150

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH