Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 70 mln euro të aktit normativ nga erdhën dhe ku po përfundojnë… dhe taksa e re për banesat e pronat bujqësore

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 70 mln euro të aktit normativ nga erdhën dhe ku

Aranit Muraçi

E ndërsa ish-kryeministri dhe ish-ministri i Rindërtimit ndodhet në arrati, madje aktualisht është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia, rreth 890 milionë euro janë shpenzuar deri më tani nga buxheti i shtetit për procesin e rindërtimit dhe për bonusin e qirasë. Sipas drejtuesit të Ministrisë së Financave Ervin Mete, nëse sigurimi i banesave nga tërmetet do të kishte funksionuar, kjo faturë nuk do të ishte kaq e rëndë për buxhetin e shtetit.

Qeveria ka miratuar sot Aktin Normatin për ndryshimin e buxhetit të vitit 2023. Ndryshimi, sipas ministrit të Ekonomisë dhe Financave Ervin Mete bëhet nga të ardhurat që parashikon rritje të planit vjetor të të ardhurave me 7.5 miliardë lekë, ose rreth 70 milionë euro.

Sipas ministrit, nga akti normativ do të rishpërndahen në total rreth 46 miliardë lekë, ose afërsisht 430 mln euro, me synim përshpejtimin e projekteve me performancë pozitive dhe nxitjen e rritjes ekonomike.

Mbi 70 mln euro që janë mbledhur përtej planit kanë ardhur kryesisht nga rritja e çmimeve dhe vjelja e të ardhurat shtesë prej TVSH-së, që do të thotë se fatura e “suksesit” ka rënduar mbi xhepat e konsumatorit dhe normalisht duhej t’i ktheheshin sërish qytetarit, aty ku nevoja shihej më emergjente, me qëllim për të mbrojtur fuqinë blerëse.

Ndryshe nga çfarë duhej të ndodhte, afro 12 miliardë lekë do të shkojnë për të mbështetur procesin e rindërtimit me synim avancimin dhe përmbylljen sa më të shpejtë të këtij procesi. Sipas ministrit gjithashtu do të alokohen rreth 1.8 miliardë lekë për skemën e naftës dhe skemat e mbështetjes së fermerëve.

Ministria e Bujqësisë do të sigurohet për disbursimin e tyre deri në fund të vitit.

Po ashtu parashikohet një shtesë për fondin e ish-të përndjekurve politikë, me synim përshpejtimin e pagesave për këtë kategori përfituesish. Akti normativ parashikon të mbështesë gjithashtu projekte në përmirësimin e infrastrukturës, kryesisht në rrugë, ujësjellësa dhe kanalizime.

Ministria e Financave pretendon se ka përfunduar konsultimi publik mbi projektligjin që synon të bëjë të detyrueshëm sigurimin e banesave nga fatkeqësitë, kryesisht nga tërmetet. Aktualisht, sipas ministrit të Financave, Ervin Mete, po diskutohen kostot e kësaj skeme. Po ashtu po punohet për të përfshirë në skemën e sigurimit edhe sektorin bujqësor.

Sigurimi vullnetar i banesave, thotë Mete, është në nivele shumë të ulëta madje në pjesën më të madhe është i diktuar nga bankat për kredi hipotekore.

Ministri tha se aktualisht është mbyllur konsultimi i projektligjit për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmeti, që parashikon futjen në skemën e sigurimit të gjitha banesat pavarësisht nëse përdoret për të jetuar, për të punuar ose për qëllime të tjera.

Nga fatura e lartë që mori Rindërtimi, sipas asaj që pretendon ministri i Financave, me mbështetjen e Bankës Botërore, qeveria po shqyrton opsionet më të mira për zhvillimin e një programi kombëtar për sigurimin nga tërmetet. Por është e rëndësishme që ky sigurim të jetë me kosto të përballueshme për qytetarët dhe të bazohet në standardet më të mira të menaxhimit të rrezikut.

Po ashtu po diskutohet edhe një skemë sigurimi për sektorin bujqësor, në mënyrë që në rast katastrofash natyrore fermerët të mos humbasin të gjithë mundin si në tri dekadat e fundit.

Qeveria thotë se sigurimi i pronave në bujqësi mund të ishte një mjet i rëndësishëm i menaxhimit të rrezikut që ndihmon fermerët të mbrohen nga humbjet financiare për shkak të fatkeqësive natyrore dhe kushteve klimatike, ndaj edhe është e nevojshme kjo nismë. Ndryshimet klimatike shkaktojnë reshje dhe përmbytje të vazhdueshme. Thatësira është një tjetër fenomen që po shkatërron kulturat bujqësore, çka duket se e bën të papërballueshëm për buxhetin e shtetit që të kompensojë dëmet. Humbjet nga dëmet, në fakt, deri tani rezultojnë nga të dyja palët, si nga ana e fermerëve ashtu edhe nga arka e shtetit.

Ndaj edhe qeveria është duke hartuar projektligjin për sigurimin e tokave bujqësore me qëllim kompensimin 100 për qind aty ku shkaktohet dëmi.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe në rast fatkeqësish për banesat apo pronat e tjera të paluajtshme, në rast tërmeti ose zjarri.

Aktualisht nuk është bërë publik sesa është primi i sigurimit që do të paguajnë qytetarët për sigurimin e banesës. As për sektorin e bujqësisë ende nuk ka një draft të finalizuar se si do të funksionojë skema.

Kanë kaluar 32 vite nga hapja e ekonomisë. Sigurimin e pronës dhe të banesave qeveria po e interpreton si ndonjë “shpikje” të saj. Përse duhet tërmeti tragiik i 26 nëntorit 2019 dhe përmbytjet e vazhdueshme në disa zona, që qeveria të kujtohej për rëndësinë që ka sigurimi i pronës. Më e rëndësishme se kaq, a nuk ka qenë gati edhe më herët ndonjë model nga vendet e BE-së, si për shembull Greqia, që qytetarët shqiptarë të mos presin në realizimin e ndonjë mrekullie?

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH