Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 58,7 % e studentëve dhe 77,4 % e mësuesve në Shqipëri janë femra, meshkujt në emigracion

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Nga 465.807 nxënës në arsimin parauniversitar që kishte dy vite më parë, numri ka rënë në 432.870. Ndërkohë një rënie të lehtë, në të njëjtën periudhë, vërehet edhe në ciklin universitar. Rënia prej me shumë se 33 mijë nxënësish megjithëse nuk shpjegohet se nga vjen nuk ka më shumë lidhje me rënien e lindshmërisë, sesa besohet se lidhet me largimin e të rinjve në emigracion, pas hapjes së pandemisë. Shqiptarët në emigracion janë duke tërhequr familjarët, në vendin ku ata jetojnë dhe punojnë prej vitesh.

Sipas INSTAT, në vitin shkollor 2022-2023, u regjistruan në arsimin zyrtar 554.222 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 4,1 %, krahasuar me vitin shkollor 2021-22. Sipas niveleve arsimore, struktura e pjesëmarrjes në arsimin zyrtar është pothuajse e njëjtë, gjatë tre viteve të fundit shkollor/akademik.

Në vitin shkollor 2022-23, numri i mësuesve në arsimin 9 vjeçar është 24.388, ndër të cilët 77,4 % janë gra. Raporti nxënës për një mësues në arsimin fillor publik është 15,5 dhe në atë privat është 14,4. Ndërsa në ciklin e lartë të arsimit 9 vjeçar, raporti nxënës për një mësues në publik është 8,2 dhe në atë privat 7,8. Numri i mësuesve në arsimin e mesëm është 8.357 prej të cilëve 69,8 % janë gra. Raporti nxënës për një mësues në arsimin e mesëm është 11,9 në arsimin publik dhe 9,3 në atë privat.

Në vitin akademik 2022-23 vazhdojnë studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë 121.352 studentë, duke shënuar një ulje prej 2,0 %, krahasuar me vitin 2021-22. Studentët që marrin pjesë në arsimin e lartë publik përbëjnë 74,9 % të numrit total të studentëve. Në të gjithë programet e arsimit të lartë, në vitin akademik 2022-23, marrin pjesë 71.248 studente femra, ose 58,7 % e numrit të përgjithshëm të studentëve në arsimin e lartë.

Në programet Bachelor, për të njëjtën periudhë, morën pjesë në arsimin e lartë 71.192 studentë duke shënuar një ulje prej 2,3 %, krahasuar me 2021-22. Në vitin akademik 2022-23, ashtu si edhe vitin e kaluar akademik, studentët duket se preferojnë fushën e studimit “Biznes, administrim dhe ligj”, ku është përqendruar një e katërta e numrit gjithsej të studentëve.

Ndërsa paradoksalisht fusha më pak e preferuar është “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari” ku janë të regjistruar vetëm 2,6 % e numrit gjithsej të studentëve, edhe pse ky sektor zë rreth 40 për qind të prodhimit. Megjithatë, ka pasur një interes në rritje vitin e fundit nga studentët për të ndjekur shkolla me formim profesional si veteriner, agronom, apo inxhinier pyjesh. Analizuar për secilën fushë studimi, krahasuar me vitin e kaluar akademik, uljen më të madhe të numrit të studentëve që ndjekin arsimin e lartë e kanë fushat “Arte dhe shkenca humane” me 16,9 % dhe “Shkenca natyrore, matematikë dhe statistikë” me 10,9 %. Ndërsa fushat “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari” dhe “Teknologji e Informacionit dhe Komunikimit” paraqesin rritjen më të madhe të numrit të studentëve me përkatësisht 12,2 % dhe 9,9 %.

Fakti që femrat janë dominuese në arsimin e lartë lidhet me largimin masiv të meshkujve në emigracion. Gjatë pandemisë, mes viteve akademike 2020-21 dhe 2021-22, nuk ka pasur rënie të numrit të studentëve. /Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH