Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 121 mijë studentë në auditore, shkencat dhe mësuesia rrezikojnë zhdukjen! Pse të gjithë duan të veshin ‘bluza të bardha’

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 121 mijë studentë në auditore, shkencat dhe

Aranit Muraçi

Për shkak të rënies së lindshmërisë dhe emigracionit, numri i studentëve vazhdon tkurrjen. Nga 124 mijë studentë që kishte dy vite më parë, këtë vit në të gjitha universitetet pritet të studiojnë 121 mijë studentë, 75 për qind e të cilëve në universitetet [publike dhe pjesa tjetër në ato private.

Në dy raundet e para janë regjistruar në shumicën e universiteteve publike 75 për qind e kuotave të përcaktuara, ndërkohë që disa nga degët që rrezikojnë të mbyllen shpresojnë të përfitojnë nga raundi i fundit që do të jetë me zgjedhje të lirë. Sakaq faza e tretë e regjistrimeve përfundon me datë 18 tetor, nga ku do të mësohet dhe fati për degët e rrezikuara dhe për numrin total të regjistrimeve.

Viti i ri akademik 2023-2024 e gjen Universitetin e Tiranës me 666 vende më pak për maturantët, krahasuar me vitin e shkuar ku kishte 4.907 kuota për vitin e parë, ndërsa mbetën të paplotësuara 1.914 kuota.

Duket se të gjithë maturantët duan të shkojnë për mjekësi, ose në një nga degët e tjera që është e lidhur me shkencat mjekësore. Sepse mesa kuptohet të gjithë të rinjtë pas përfundimit të shkollës së lartë planifikojnë të ikin nga Shqipëria. Interesi i vendeve perëndimore për të rekrutuar punonjës të fushave të mjekësisë ku ata kanë nevojë, nga vendet e tjera jashtë BE-së, ka rritur ndjeshëm interesin e të rinjve shqiptarë për të ndjekur këto degë, teksa në çdo fakultet publik janë plotësuar të gjitha kuotat edhe në infermieri.

Nga ana tjetër rrezikojnë të mbyllen degë që lidhen me shkencat e natyrës, mësuesinë, sikurse në rrezik janë edhe gjuhët e huaja. Në ditën e parë në oborrin akademik, në Universitetin e Mjekësisë janë plotësuar kuotat për 450 studentë, megjithëse studentët e viteve të ndryshëm kanë paralajmëruar bojkot dhe protesta për shkak të ligjit që i detyron të punojnë në Shqipëri 5 vite pas përfundimit të studimeve.

Universiteti i Tiranës hapi sot dyert për mbi 20,000 studentë, nga të cilët 3,381 do të ulen për herë të parë në auditorë. Por edhe universiteti më i vjetër, i konsideruar elitar për nga sasia, që vazhdon të tërheqë më shumë studentë, duket se po vuan “simptomat” e rënda të tranzicionit, ku për shkaqe të ndryshme që as vetë oborri akademik nuk ka një përgjigje se, pse po largohen të rinjtë apo edhe pse nga ana tjetër institucioni arsimor i lartë publik është distancuar tërësisht nga studenti dhe tregu i punës. Degët që lidhen me mjekësinë janë ezauruar që në raundin e parë. Interes të lartë ka pasur edhe për degët inxhinierike që lidhen me teknologjinë dhe ndërtimin, si IT, arkitektura, inxhinieria e ndërtimit etj. Degët e tjera tradicionale si ekonomia dhe juridiku janë plotësuar në raundin e dytë.

Shkencat e Natyrës dhe ato Sociale kanë pësuar goditjen më të rëndë. Raportohet një interes i ulët për sociologjinë, psikologjinë, filozofinë. Në filozofi janë regjistruar vetëm 4 studentë.

Pedagogia e mirënjohur pranë Departamentit të Fizikës te Shkencat e Natyrës, Mimoza Hafizi pranoi dramën te fakulteti i saj dhe ngre alarmin, duke e quajtur interesin e paktë të studentëve një “problem kombëtar”. Ajo thotë se këtë vit janë regjistruat 8 studentë, nga 10 që nevojiteshin dhe nëse në raundin e fundit nuk do të plotësohet numri, Fizika sipas rregullores duhet të mbyllet. E njëjta situatë dramatike paraqitet edhe me degët e tjera si Kimia dhe Matematika. Para një dekade Fizika kishte 100 studentë dhe prandaj “ky është kthyer në problem kombëtar” thotë Hafizi, ku si problem kryesor thotë se janë kurrikulat e cunguara me të cilat po mësojnë gjimnazistët në shkolla të mesme. Por një tjetër faktor për këtë situatë është dhe roli i mësuesit në shoqëri. Sipas saj, shoqëria shqiptare nuk i trajton ashtu siç duhet mësuesit. Sidomos të Shkencave të Natyrës për pagat, kualifikimet, numrin e orëve. “Vjet kemi pasur 10 studentë. Sivjet 8. Prisja që të shkonim tek 5”, thotë Hafizi teksa edhe vendimi i qeverisë për të dhënë bursë sa paga minimale (40 mijë lekë të reja) nuk dha efekt. E thënë shkurt shkenca na ishte dikur! Shqipëria me këto ritme, brenda pak viteve, rrezikon të mbetet pa mësues fizike, kimie, matematike dhe mësues të lëndëve të tjera.

Nga ana tjetër, Universiteti Bujqësor i Tiranës, këtë vit ka arritur të marrë më shumë studentë. Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit në Universitetin Bujqësor nuk rrezikoi mbylljen e asnjë dege. Këtë vit të rinjtë kanë shfaqur më tepër interes për degët që janë cilësuar si prioritet kombëtar nga qeveria, duke ofruar për studentët që do të regjistrohen, bursë ne vlerën e pagës minimale, pra 400 mijë lekë (të vjetër) në muaj. Për disa nga degët profesionale të këtij universiteti si agronomia deh veterinaria ka interes edhe në vendet e perëndimit, çka ka joshur të rinjtë shqiptarë.

Një përmbledhje e situatës në ditën e parë të vitit të ri akademik nxjerr të njëjtat probleme, edhe në universitetet e rretheve.

Vlora

Në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë problemi më i madh dhe i vetëm është rënia e ndjeshme e numrit të studentëve në auditorë. Fakulteti i Shkencave Humane ka qenë një nga pikat më të rrezikuara për mbyllje të degëve. Për të dyja ciklet e studimit master dhe bachelor, të paktë janë studentët që janë regjistruar në këto degë të Mësuesisë, Sociologjisë apo edhe të Media-Komunikimit, e cila është një nga degët më të reja që FShH ofron. Degët e mësuesisë kanë njohur rënie, në programe si ato të historisë, gjeografisë, pedagogjisë së specializuar. Kurse lëndët Kimi, Fizikë, Matematikë dhe Gjuhë Italiane, nuk regjistrojnë ende asnjë student. Nga të dhënat paraprake nga rektorati mësohet se fakulteti më i kërkuar në Vlorë është ai i Shëndetit Publik. Dega Infermieri me rreth 240 studentë të regjistruar dhe dega Mami me rreth 70 studentë të regjistruar. Në fakultetin e Ekonomikut janë regjistruar 100 studentë dhe tek Shkencat Teknike 175 studentë.

Elbasani

Me nisjen e vitit akademik, nga 2.100 kuota në universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit në përfundim të dy raundeve ta para janë regjistruar rreth 1.090 studentë. Degët më të preferuara janë ato që lidhen me shkencat mjekësore. Nga 43 programe studimi më pak të regjistruar ka pasur te disa degë të huaja të cilat rrezikojnë mbylljen. I njohur ndryshe si “universiteti i mësuesisë”, Elbasani po e humb dalëngadalë emrin e krijuar ndër vite. Në këtë vit akademik raportohet një interes tepër i ulët për degë që lidhen me mësuesinë.

Durrësi

Nisja e vitit të ri akademik sjell 1515 regjistrime te reja në universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, pas dy fazave të para, shifër kjo me një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë, kur raportoheshin 1700 regjistrime për dy fazat e para. Veç degëve të Mjekësisë, dy degët më popullore në çdo universiteti, si Ekonomia dhe Drejtësia, janë më të kërkuarat nga studentët në këtë vit akademik. Programe studimi si Guida që lidhet me turizmin, Filozofia, por edhe Historia për shkak të numrit të ulët të studentëve, rrezikojnë të mbyllen.

Korça

450 studentë të rinj janë regjistruar për të vijuar studimet në universitetin “Fan Noli” të Korçës. Programet e ekonomisë, turizmi dhe marketingu ishin ndër më të preferuarat e raundit të dytë. Në degët e Infermierisë dhe Edukimit Fizik kuotat janë plotësuar që në raundin e parë. Edhe në fakultetin e Bujqësisë së këtij universiteti janë plotësuar 100 për qind e kuotave, teksa ka dhënë efekt bursa që do të jetë sa paga minimale. Rrezikojnë mbylljen degë si Filozofia, Ekonomiksi, Matematikë-Fizikë apo Matematikë-Informatikë.

Gjirokastra

Në universitetin “Eqerem Çabej” të Gjirokastrës, pas raundit të dytë, janë mbi 400 studentë që janë ulur për herë të parë në auditore. Degët më të preferuara mbeten Infermieria dhe Ekonomiku. Në këtë universitet, për shkak të bursës 40 mijë lekë, ndryshe nga një vit më parë, është rritur disi interesi edhe për disa nga degët e mësuesisë.

Shkodra

Në universitetin ‘Luigj Gurakuqi’ të Shkodrës, pas dy raundeve të para janë regjistruar 850 studentë në vitin e parë. Në 32 programe studimi në 6 fakultete të këtij universiteti janë ende edhe 926 kuota të lira. Degët që i kanë plotësuar 100% kuotat janë infermieri i Përgjithshëm, Mami, Fizioterapi dhe Edukimi Fizik, në fakultetin e Shkencave të Edukimit. Ndërsa dega e historisë ka vetëm 1 student të regjistruar, ndërsa deri tani nuk ka asnjë të regjistruar që dëshiron të studiojë gjuhën frënge. Fakulteti me kuotat më të larta mbetet ai i drejtësisë, 300, por të regjistruar janë vetëm 43 studentë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH