Aranit Muraçi
Opozita dhe më konkretisht Partia Demokratike po i vuan ende pasojat e rënda të gabimit fatal, atë të djegies së mandateve si dhe refuzimit për t’u futur në zgjedhjet lokale të qershorit 2019.
Fiks 3 muaj para zgjedhjeve të 14 majit 2023, PD-ja veçse e përçarë po përballet me dy rreziqe kryesore: mosregjistrimi dhe mbetja e saj pa fonde.
1 miliard e 660 milionë (afërsisht rreth 1.6 milionë euro) është fondi që pritet t’iu akordohet partive politike nga buxheti i shtetit për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023. Nuk përfshihet këtu fondi i shpenzimeve (elektronika, komisionerë, kancelarra etj).
Por cilat parti përfitojnë nga ky fond dhe si do të ndahet mes tyre një i tillë?
Nëse PS sipas ligjit, duke qenë se në dy zgjedhjet e fundit lokale mori shumicën e bashkive dhe përqindjen më të lartë si subjekt politik, i takon në këto zgjedhje të përfitojë pjesën më të madhe të fondit. Partia e dytë që është PD, nëse siç ngriti sot PS-ja një pretendim do të merret nga KQz në konsideratë rezultati i vitit 2019, rrezikon të mbetet pa fonde.
Sidoqoftë njëra nga dy palët, në mos të dyja nëse gjykata nuk i jep zgjidhje konfliktit mes tyre më 3 mars, e sigurt është se do të mbetet pa fonde.
Para vendimit final të gjykatës, nisur nga fakti se komisionet parlamentare i përfaqëson aktualisht grupimi Parlamentar i Partisë Demokratike drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, dhe faktit që ky grupim ka mbështetjen e perëndimit dhe të SHBA-ve, shihet si më i avantazhuar për t’u ligjëruar nga KQZ dhe po ashtu për të përfituar fondin, i konsideruar jetik jo vetëm për të arritur rezultatin e dëshiruar, por për të futur denjësisht në garë. Ndryshe Shqipëria rrezikon të mbetet sërish pa opozitë pas zgjedhjeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kërkuar Kuvendit që të miratojë fondin për financimin e partive në fushatën e zgjedhjeve te 14 majit, ndërsa shpërndarja e fondeve do të bëhet pas datës 6 mars, ditë kur skadon edhe afati për regjistrimin e subjekteve zgjedhore në garën e 14 majit.
Mirëpo duke qenë se PD dhe opozita nuk morën pjesë në zgjedhjet e vitit 2019, përfaqësuesit e maxhorancës kanë gjetur një mundësi të shkëlqyer për ta lexuar rregulloren sipas shijeve të tyre.
Për kryetarine komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, ndarja e fondit duhet të realizohet në frymën e nenit 180, i cili parashikon se alookimi i fondit duhet të realizohet sipas rezultatit të zgjedhjeve 2017. Alibeaj thotë se duhen llogaritur zgjedhjet e vitit 2015-2017 ndërsa nga kampi socialist Ermonela Felaj shprehet se opozita shqetësimet e saj duhet t'i parashtrojë në KQZ, jo në Komisionin e Ligjeve.
Fondin e cakton Kuvendi. “Nuk bëhet parashikime pa fondin. Në 2019 pati një dyfishim nga 65 mln lekë të reja është bërë 131 mln lekë. E di Kuvendi nëse mjafton apo jo? Më pas është komisioneri që vendos se si do të shpërndahet dhe nëse ka pakënaqësi nga partitë bëhet ankimi", tha Ylli Merkaj, sekretar i KQZ.
Si është ndarë fondi në zgjjedhjet e kaluara parlamentare mes partive?
Do të jetë vendimmarrja e KQZ-së, për mënyrën sesi do të bëhet ndarja e fondeve mes partive në zgjedhjet e radhës, vendim që nuk do të jetë edhe aq i lehtë. E para, vendimi i parë i vështirë që do të marrë KQZ është se cila nga partitë demokratike do të regjistrohet dhe e dyta, si do të bëhet ndarja e parave që përfiton secila parti, pasi krijohet mundësia e interpretimit të ligjit edhe mbi mungesën e opozitës në zgjedhjet e vitit 2019.
Sakaq ligji saktëson se një parti ose koalicioni i partive politike paraqet kërkesën për tu regjistruar si subjekt zgjedhor jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve (3 ditë kohë pas vendimit të Apelit më 3 mars). Kërkesa paraqitet në KQZ dhe shoqërohet me dokumentacionin përkatës sikurse përcaktohet në Kodin Zgjedhor dhe aktet e KQZ.
Vlen të përmendet mënyra sesi u ndanë paratë mes partive në zgjedhjet e fundit parlamentare. Komisioni Rregullator në KQZ për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill 2021, dhe vendimeve të KShZ për shpërndarjen e mandateve, fondin prej 345 600 000 (treqind e dyzet e pesë milion e gjashtëqind mijë) lekë, nga buxheti i shtetit, e shpërndau si më poshtë:
(PS) 151.494.783 lekë
(PD+Aleatët) 104.926.170 lekë
(PDIU) 9.753.657 lekë
(PBDNJ) 8.018.647 lekë
(PR) 13.223.679 lekë
(PAA) 8.018.647 lekë
(LZHK) 8.018.647 lekë
(PLL) 8.018.647 lekë
(LSI) 15.577.215 lekë
(PSD) 12.266.269 lekë
Partia Nisma Thurje (NTH) 6.283.636 lekë
/Liberale.al/