Vendimi i KQZ për të lënë në detyrë dy kryebashkiakët, të Matit, Agron Malaj dhe Librazhdit, Kastriot Gurra, për ish deputetin Ervin Salianji konfirmon se Rama po bën gjithçka për të mbrojtur banditët. Sipas tij, do të jetë Partia Demokratike ajo që me ardhjen në pushtet do të pastrojë qeverinë dhe bashkitë nga personat e inkriminuar.
“Është një vendim i turpshëm i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që vazhdon paligjshmërinë dhe shpërdorimin e detyrës që nga 30 Qershori me vendimet para 30 Qershori dhe vazhdojnë me të njëjtën paligjshmëri, është përkrahje e banditëve dhe kriminelëve e personave me precedent penal, përkrahje e të inkriminuarve për të qenë në krye të vendit, është një vendim haptazi i paligjshëm kur vetë Prokuroria ka gjetur shkeljet që ne kemi denoncuar për kryetarët e këtyre bashkive dhe që ndalohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ligji. Por Rama e ka marrë pushtetin me krimin dhe i ofron mbështetje atyre, mbrojtjen politike dhe institucionale, por edhe duke ndarë me ta pushtetin. Ne kemi bërë një luftë të pandërprerë për largimin e të inkriminuarve nga politika dhe do të jetë një betejë që do ta vazhdojmë e kur të jemi në pushtet do të marrë fund edhe në nivelin e administratës. Do të bëjnë pastrimin e plotë dhe do t’i vendosim ato përballë përgjegjësisë penale. Rama ka bërë mbrojtje për të gjithë që nga Roshi deri te Kajmaku që u detyrua ta luftonte për shkak të luftës së brendshme", thotë Salianji.
Salianji e konsideron opozitvën parlamentare zgjatim të qeverisë. Për të, kërkesat e artikuluara dhe lufta e firmave për ndryshim sistemi është një përpjekje e Ramës për të zhvendosur vëmendjen dhe për të bllokuar kalimin e Reformës.
“Nuk ka një opozitë tjetër. Ka një zgjatim të qeverisë. Ata janë njerëz të pavotuar dhe njerëz si punonjës të administratës së Kuvendit, të cilët Rama i përdor sa herë të dojë. Nuk ka një kërkesë të tyre për ndryshim sistemi. Ka një kërkesë të PS për ndalimin e koalicioneve dhe frikë nga ana e saj për tu përballur me opozitën. Ka vetëm dy blloqe në Shqipëri një mazhorancë dhe një opozitë. Nuk mund të ketë një psikopati të këtij lloji. Janë tymnaja për të zhvendosur vëmendjen dhe për të treguar frikën e Ramës se me hile mund të marrë diçka. Reforma e arritur deri tani nuk i zgjidh të gjitha problematikat, por adreson çështje të rëndësishme që pamundësojnë manipulimin e votës të paktën në qendrën e votimit e pa diskutim edhe pjesa tjetër që është kusht i Bundenstagut si implementimi i Reformës Zgjedhore, por edhe krimi elektoral” shprehet Salianji.