Aktualitet

Rënia vit pas viti e blegtorisë, VOA: Fermerët kërkojnë mbështetje

Shkruar nga Liberale
Rënia vit pas viti e blegtorisë, VOA: Fermerët kërkojnë

Blegtoria vit pas viti po pëson rënie në Shqipëri si në krerë, edhe në prodhim dhe Qarku i Gjirokastrës është ndër më të prekurit. Blegtorët thonë se po ulin numrin e krerëve prej kostove të larta të bazës ushqimore, por edhe mungesës së njerëzve në zonat rurale ku më parë mbaheshin tufat e mëdha të bagëtive.

Nga ana tjetër konsumatorët po përballen gjithnjë e më shumë me mungesën e prodhimit vendas dhe me çmime të larta të qumështit dhe nënprodukteve të tij.

Qarku i Gjirokastrës njihet në Shqipëri për mbarështimin e bagëtive të imta dhe cilësinë e lartë të prodhimeve blegtorale. Por vit pas viti numri i krerëve po shënon ulje. Pandeli Kuremeno që mbarështon rreth 150 krerë dele në zonën e Dropullit flet për disa nga vështirësitë.

“Të gjithë blegtorët këtë vit janë në vështirësi. Së pari nga rritja e tmerrshme e bazës ushqimore për bagëtinë, të gjitha janë rritur. Edhe qiratë e tokave që përdoren për kullotë janë rritur. Mund të duket nga jashtë që rritja e çmimit të qumështit nga përpunuesit të jetë e kënaqshme, por nuk është kështu pasi nuk mund të nxjerrësh fitime nga blegtoria me këto kosto që ka një blegtor.”

Ndërsa Krenar Veliu në drejtorinë e Bujqësisë , Gjirokastër e sheh më me optimizën sektorin gjatë këtij viti falë edhe kushteve të mira klimaterike të këtij dimri të butë.

“Qarku me të tre rrethet që përfshin Gjiroakstër,Tepelenë dhe Përmet mbarështon rreth 260 mijë krerë të imta,dele dhe dhi. Dimri i sivjetëm ka qenë i mbarë pasi nuk ka sjellë rreziqe dhe situate e përgjithshme e blegtorisë është e mirë. Blegtoria e qarkut tonë kryesisht dimëron në luginën e Gjirokastrës dhe në kullotat e rrethit të Sarandës dhe pak në rrethin e Vlorës”.

Sipas raportit vjetor të Institutit të Statitikave për blegtorinë, në vitin 2021 numri i bagëtive të imta në nivel kombëtar ishte rreth 80 mijë më pak, krahasuar me vitin 2020 dhe treguesit kanë vijuar të përkeqësohen edhe në vitin 2022, sipas të dhënave paraprake .

Edhe prodhimi i qumështit u ul me rreth 39 mijë tonë në vitin 2021 krahasuar me vitin 2020. Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2021, numri i kafshëve të gjalla në nivel komëbtar u përgjysmua në raport me vitin 2004,.

Rënia më e madhe po ndodh në ekonomitë e vogla familjare me 2 deri në 5 krerë dhe këtu ndikojnë si braktisja e zonave rurale edhe dhe plakja e popullsisë.

Qarku i Gjirokastrës është më i prekuri në Shqipëri nga lëvizjet demografike. Sipas të dhënave zyrtare në janar të vitit 2022 qarku që përfshin edhe Tepelenën dhe Përmetin numëronte 55.200 banorë nga 72.200 që numëronte në vitin 2015.

Sepcialisti Krenar Veliu në drejtorinë e bujqësisë në Gjirokastër flet për ndikimin e lëvizjes së popullsisë në mbarështimin e blegtorisë.

Ikën njerëzit nga zonat malore, iku dhe blegtoria e cila tashmë është përqëndruar në luginë. Ky numër bagëtish që ishte nëpër fshatra ose është zhvendosur në luginë ose është ulur.

Bashkia e Këlcyrës është një zone e njohur në Shqipëri për mbarështimin e deleve dhe dhive. Nënkryetari i bashkisë Riza Allamani thotë se vite e fundit po shfaqet edhe vështirësia e gjetjes së barinjve për shkak se të rinjtë nuk po përfshihen më në këtë sektor.

“Brezi i ri duke u larguar sjell edhe boshllëkun e madh për burime njerëzore në sektorine e blegtorisë .Sot numri i bagëtive në bashkinë Këlcyë ka rënë, mund të themi në mënyrë të konsiderueshme. Këtë e shikojmë në prodhimin e djathit. Në bisedat që bëjmë me prodhuesit e djathit arsyeja e prodhimit teulet lidhet me sasinë e pakët të qumështit. Kjo ndodh se numri i bagëtisë ka rënë.”

Si blegtorët edhe specialistër thonë se sektori i blegtorisë ka nevojë për më shumë mbështetje me subvencione.

Propozimi kryesor i tyre për autoritete e ministrisë së Bujqësisë është kalimi nga subvencionimi për krerë, tek subvencionimi për litër qumështi.

Zoti Kuremeno thotë se rritja me 20% e subvencionit për krerë i bagëtive të imta ëshë asgjë para rritjes së bazës ushqimore. Që një tufë delesh të nxjerrë pak fitim ,fitimin minimal, duhet që në radhë të parë të subvencionohet litri i qumështit.”

Ndërsa specialisti Krenar Veliu thotë se Agjencia e Zhvillimit Bujqësor subvencionon për krerë bagëtish të matrikullura. Agjencia aktualisht jep 12 mijë lekë të vjetra për një dele të matrikulluar në një tufë që i kalon nga 100 deri në 300 krerët. Kjo është një ndihmë e mirë në fakt, por duhet të jetë edhe një mbështetje më e mirë, thotë zoti Veliu.

Pandemia e koronavirusit dhe efektet e luftës në Ukrainë kanë ndikuar sipas ekspertëve të ekonomisë në rritjen me gati 50% të kostos së bazës ushqimore për blegtorinë duke dhënë ndikim negative sidomos për fermat blegtorale të mesme dhe të mëdha.

Ndërsa situata në ekonomitë e vogla blegtorale, kryesisht familjare, do të vijoj të përkeqësohet sipas specialistëve nga largimi i madh i popullsisë nga zonat ruale dhe sidomos i të rinjve.

Rënia e numrit të krerëve rrjedhimisht po sjell në Shqipëri edhe uljen e prodhimit të mishit, qumështit dhe nënprodukteve të tij.

Shoqëruar nga rritja e kostove ushqimore të mbajtjes së gjësë së gjallë kjo situatë po ndikon në tregun e konsumatorëve.

Kompanitë e përpunimit të qumështit i rritën pak kohë më parë me rreth 30% çmimet e nënprodukteve të quëmshtit për shkak të shtrenjtimit të çmimit të qumështit qe dorezohej nga fermerët.

Cmimet e djathit cilësor nga kullotat natyrore gati eshte dyfishuan këtë vit krahasur me një vit më parë, ndërsa në treg prodhimi vendas i djathit është me i pakët krahasur me vitet e mëparshme. /voa/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH