Aktualitet

Rektori i UET, Gjuraj zgjidhet nënkryetar i Konferencës së Rektorëve

Shkruar nga Liberale
Rektori i UET, Gjuraj zgjidhet nënkryetar i Konferencës së

Rektori i Universitetit të Tiranës, Tonin Gjuraj, përveç drejtimit të këtij institucioni, ka marrë edhe një detyrë të re si nënkryetar i Konferencës së Rektorëve.

Pas 4 vitesh shkëputjeje, Konferenca e Rektorëve ka rinisur funksionimin e saj në kuadër bashkëpunimit dhe avancimit të çështjeve që kanë të bëjnë me arsimin e lartë publik dhe jopublik në Shqipëri. Kjo Konferencë u mblodh të hënën, më 19 nëntor, për të zgjedhur Kryesinë e saj e përbërë nga kryetari dhe dy nënkryetarë, njëri që përfaqëson institucionet publike dhe tjetri ato jopublike.

Në krye të saj u zgjodh rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, ndërsa rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Prof. Dr. Skënder Topi dhe rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, u zgjodhën nënkryetarë.

Prof. Dr. Tonin Gjuraj, i cili është në mandatin e tretë si rektor i UET, e ka quajtur një vlerësim jo vetëm personal, por mbi të gjitha një vlerësim ndaj institucioneve arsimore private, të cilat tashmë u është dhënë një vëmendje dhe rol më i madh në arenën e arsimit të lartë në Shqipëri.

Natyrisht është vlerësim për sektorin privat, sepse ka peshë në sistemin e arsimit të lartë. Është padiskutim edhe përgjegjësi. Unë aty do të avancoj fort çështjet që kanë të bëjnë në tërësi me arsimin e lartë dhe do të mbroj fort interesat e sektorit privat. Më parë, duke qenë se edhe Konferenca ishte shumë e fragmentizuar, nuk i jepte sistemit privat peshën që ka tani. Do të sanksionohet në statut dhe brenda Konferencës, sistemi privat do të ketë edhe një sistem të tijën, për çështje që lidhen me arsimin privat, shprehet Gjuraj.

Konferenca e Rektorëve është një organ kolegjial i pavarur, veprimtaria e së cilës përcaktohet në nenin 16 të ligjit Nr.80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”. Në këtë nen thuhet, se Konferenca e Rektorëve, kryen veprimtari të koordinimit dhe zhvillimit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, në dhënien e rekomandimeve lidhur me çështje të arsimit të lartë me interes kombëtar dhe mbajtjen e lidhjeve me shoqata homologe për nxitjen e shkëmbimeve universitare.

Rektori i UET, Tonin Gjuraj shprehet se sfida e tij kryesore, si përfaqësues i institucioneve të larta arsimore jopublike në vend, do të jetë avancimi me përcaktimet ligjore dhe që këto institucione të mos diskriminohen më, siç ndodh me rastin e akreditimit të programeve.

“Sfida ime kryesore do të jetë, që ne të shkojmë drejt një legjislacioni jodiskriminues, dhe antikushtetues për sektorin privat. Le të përmendim një fakt: tarifa për procesin e akreditimit të programeve është ndryshe për sektorin privat dhe ndryshe për sektorin shtetëror, ndërkohë që duhet të jetë e njëjtë. Nëse një institucion privat dhe një publik akreditojnë të njëjtin program, privati paguan më shumë se publiku. Kështu e ka vendosur Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) dhe kjo është diskriminuese. Ne duhet t’i ndryshojmë praktika të tilla. Ne do të kemi standarde të njëjta, të përbashkëta. Natyrisht sektorët funksionojnë në mënyra të ndryshme, por standardet duhet të jenë të njëjta”, tregon Gjuraj.

4 pikat kryesore për veprimtarinë e Konferencës, propozuar nga Kryesia

1. Menaxhimi dhe administrimi sa më i mirë i institucioneve të arsimit të lartë, në sensin e cilësisë dhe standardeve evropiane, programeve të reja, specializimi i universiteteve, drejtimi institucional, zbatimi i standardeve për klasifikim sa më të mirë të tyre në rankimin ndërkombëtar, kërkimin shkencor dhe botimet akademike dhe administrimi financiar.

2. Pjesëmarrja dhe angazhimi sa më i madh në projektet europiane të kërkim-zhvillimit, nëpërmjet një kooperimi sa më të gjerë ndërmjet Institucioneve të Arsimit të Lartë.

3. Bashkëpunimi me Ministrinë përgjegjëse të Arsimit dhe qeveritë për plotësime dhe përmirësime rregullative të funksionimit të institucioneve të arsimit të lartë.

4. Komunikimi publik i institucioneve të arsimit të lartë dhe kontributi i tyre me ide, platforma zhvillimi, politika publike, edukim i gjerë dhe përtej institucioneve të arsimit të lartë, partneritete me qeverinë, pushtetin lokal dhe Bashkimin Evropain.

Mbi funksionimin e Konferencës së Rektorëve

Konferenca e Rektorëve përbëhet nga Kryesia dhe Asambleja e Përgjithshme, e cila ka anëtarë të gjithë rektorët/titullarët e institucioneve arsimore shtetërore dhe private në Shqipëri. Si një organ i pavarur, veprimtaria e saj rregullohet nëpërmjet një statuti, të miratuar nga dy të tretat e anëtarëve të saj.

Ky statut, i cili do të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Konferencës, për ta bërë plotësisht funksionale, përveçse përcakton objektivat dhe qëllimet, rregullon organizimin dhe drejtimin e saj, ku saktësohet zgjedhje e Kryesisë dhe objektivat e Asamblesë. Sipas statutit, mbledhja e Konferencës duhet të bëhet 1 herë në 3 muaj dhe duhet të ketë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve, por mund të mblidhet edhe kur thirret nga kryetari, ose 1/3 e anëtarëve.

Konferenca përbëhet nga dy seksione, seksioni i institucioneve publike të arsimit të lartë dhe seksioni i institucioneve jopublike të arsimit të lartë. Këto seksione diskutojnë për probleme të veçanta të cilat lidhen direkt me natyrën e institucioneve përkatëse dhe më pas i propozohen Asamblesë ku merren edhe vendimet në lidhur me çështjet e paraqitura./Gazeta Liberale

 

 

 

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH