Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në konferencën e vjetore në “State of the Union”, në Firence të Italisë, foli mbi anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Ndër të tjera, Rama tha se fjala anëtarësim është një fjalë e madhe dhe shtoi se Shqipëria sipas tij në këto momente nuk është gati për anëtarësimin, por nënvizoi se nuk e kupton se përse negociatat nuk po hapen, por po shtyhen vazhdimisht.
"Unë mendoj që anëtarësimi është një fjalë e madhe. Nëse do të më pyesnit sot që a është Shqipëria gati për të qenë në BE? Unë do të thoja jo, nuk është gati. Por nuk kuptoj shtyrjen e çeljes së negociatave, që prej vitit 2018. Kur bëhet fjalë për të afruar një anëtarë të ri, kjo do të kërkojë kohë. Në mënyrë që të mbash vendet në këtë pozicion, e thonë jo, e për të shtuar ujë e miell, duhet bërë kjo, e kjo tjetra, kjo nuk ka kuptim", tha Rama.