Kryeministri Rama së bashku me dy deputetët e qarkut të Vlorës, Vullnet Sinaj dhe Damian Gjiknuri, ka inspektuar punimet e rrugës në zonën e lumit të Vlorës, e premtuar prej 100 vitesh sipas kryeministrit, por vetëm tani po bëhet realitet.
Kreu i qeverisë theksoi se investimi do t’i hapë rrugë shtimit të turistëve në vend.
"Jemi shumë të lumtur që po zbulojmë një copë parajse të Shqipërisë që ishte e panjohur, me këto dy rrugë të ëndërruara prej 100 vitesh nga njerëzit e këtyre zonave, të premtuara dem baba den, nga vetë sekretari i Parë i zonës së larg qoftit e më pas nga të gjithë tjetërt. Po krijojmë një pellg të ri për turizmin. Po krijojmë një hapësirë të re që i shtohet asaj turistike të Shqipërisë. Po ofrojmë një platformë për agroturizmin, dizerfikimin e portofolit tonë turistik. Të bëjmë të mundur që Gjirokastra, Tepelena dhe majat e Labërisë të jenë brenda një oferte të vetme. E përsëris që me rrugën e re nga Erseka në Përmet dhe Kolonjë Korçën që përfundon në vitin e ardhshëm, kemi të gjithë Jugun e Shqipërisë të lidhur, duke bërë të mundur që gjatë gjithë vitit këtu të ketë jetë, ekonomi dhe produktet e kësaj zone të vendosen në shërbim të ofertës tonë politike”, tha kryeministri gjatë fjalës së tij.