Editorial

Rama, fushata dhe politika e jashtme

Shkruar nga Liberale
Rama, fushata dhe politika e jashtme

Blendi Lami

1. Protagonizmi në fushatë dhe politikën e jashtme

Një nga elementet kryesore të fushatës elektorale të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 prillit qe protagonizmi i kryetarit të saj dhe njëkohësisht kryeministrit, z. Rama – një teknikë që është përdorur prej tij edhe në fushata të mëparshme. Duhet theksuar gjithashtu se z. Rama – në krahasim me kryeministra të mëparshëm - ka shfaqur aftësi të paprecedentë në politikën e jashtme. Kjo aftësi e ka burimin pikësëpari në të kuptuarit prej tij të rolit që mund dhe duhet të ketë Shqipëria në arenën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Gjatë fushatës, z. Rama i përçoi shpesh elektoratit mesazhe nga vende të huaja. Mund të shënohen roli që luajtën gjatë fushatës Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (role që përkthehen në lidhjen e fortë Rama – Erdogan dhe investimin e konsiderueshëm të Emirateve).

2. Politikë e jashtme me alternativa

Ian Bremer e përdor termin “shtet qendror” (“pivot state”) për të përshkruar një shtet që është në gjendje të ndërtojë marrëdhënie fitimprurëse me një apo disa fuqi të mëdha dhe – njëkohësisht – të mos bëhet i varur nga asnjëra prej tyre. Kjo aftësi e ndihmon të shmangë influencën – në terma të sigurisë dhe ekonomisë – nga një shtet tjetër i vetëm. Ky term përdoret kryesisht në literaturë për fuqi të mesme, por aplikimi i tij nuk mund të kufizohet. Përtej përdorimit të termit, z. Rama (në këtë rast, mishërim i një protagonizmi në fushatën elektorale dhe strategjisë së politikës së jashtme shqiptare) thjesht ka kuptuar se Shqipëria nuk ka vetëm një apo dy alternativa në politikën e jashtme.

Nuk është vendi për t’u zgjatur për alternativën perëndimore të Shqipërisë me dy busulla: me orientim nga Brukseli dhe Uashingtoni. Mesazhe për këto dy busulla janë të pranishme në çdo fushatë elektorale dhe normalisht në vijën institucionale shqiptare. SHBA kanë bërë të ditur tashmë se kanë interesa të përbashkëta me Shqipërinë kryesisht për “zhvillimin e një arkitekture të re të sigurisë evropiane, luftën kundër terrorizmit, si edhe forcimin e institucioneve demokratike dhe stabilitetit në gjithë Evropën Juglindore”. Shkurt, stabiliteti i Shqipërisë është parësor për SHBA-në. Shqipëria është gjithashtu pjesë e politikave të Bashkimit Evropian, gjë që nuk bie ndesh me linjën amerikane. BE e ka në fokus Shqipërinë jo vetëm në fushën e sigurisë (si në rastin e SHBA-së), monitoron procesin e integrimit të Shqipërisë në Union dhe synon të realizojë reforma të thella për transformimin e vendit. Pavarësisht euro-skepticizmit, Shqipëria është pjesë e strategjisë së madhe të Bashkimit Evropian. Pra, linja perëndimore është tashmë pjesë e pandashme e platformave elektorale.

Veçanti e fushatës ishin dy alternativat e tjera.

Shqipëria ka pasur historikisht marrëdhënie shumë të mira me Turqinë, gjë që mund të shihet me dyshim nga Perëndimi. Por dozat e miqësisë janë rritur. Gjatë tetë viteve të fundit, kemi dëshmuar një thellim të rolit të Turqisë në Shqipëri – për më tepër edhe gjatë fushatave elektorale – kryesisht përmes një diplomacie personale të kryetarëve të shteteve përkatëse. Turqia shfaqi haptas mbështetjen ndaj z. Rama – ndër të tjera në rastet e ndërtimit të spitalit në Fier për dy muaj dhe dërgimin e kontrollorëve të trafikut ajror në një moment krize për qeverinë. Ishin dy mesazhe shumë të qarta për elektoratin shqiptar.

Një alternativë tjetër është mundësuar nga hapja për investime të konsiderueshme për Shqipërinë: investimi në portin e Durrësit nga një kompani e fuqishme e Emirateve të Bashkuara Arabe. Në një intervistë për CNN, investitori arab Mohamed Alabbar i bëri reklamë Shqipërisë dhe jehonë arritjeve të saj. Madje, e quajti Shqipërinë “Evropa e Re”, me indikatorë që tërheqin investime të mëdha. Sipas Alabbar, Shqipëria dallohet për “rritje mbresëlënëse ekonomike, fuqi punëtore, qeveri që punon ditë e natë për t'u bërë pjesë e Evropës reale”. (Sigurisht, këto deklarata merren me rezerva për çdo njohës të situatës në Shqipëri.)

Këto dy linja të politikës së jashtme, z. Rama – përveçse i ka aplikuar në ushtrimin e detyrës së tij - i shfrytëzoi me sukses edhe gjatë fushatës.

(Ka edhe linja të tjera jo fort të dukshme, por që janë në funksion të të sipërpërmendurave – ndër të tjera: një ftohje e plotë me Rusinë, një distancim i menaxhuar me Kinën apo një qëndrim armiqësor ndaj Iranit.)

3. Konteksti shqiptar në rendin e ri

Shumë shtete kanë arritur sukses në rendin e ri pasi po ndjekin maksimën e Bremmer-it “E ardhmja u përket atyre që tregojnë fleksibilitet”. Në rendin e ri global, lidhja me partnerë të shumtë është thelbësore.

Në librin “Çdo shtet për vete: fituesit dhe humbësi në një botë pa udhëheqje”, asnjë shtet (madje as SHBA) nuk zotëron kapacitetet e mjaftueshme për të përcaktuar një axhendë ndërkombëtare. Në këtë rend të ri të decentralizuar, një shtet duhet të ketë aftësinë për të pasur alternativa. Sipërfaqja e vogël nuk i kufizon gjithmonë opsionet gjeopolitike të një shteti, gjë që reflektohet – për shembull - nga Singapori. (Ky rast nuk reflekton aspak Shqipërinë, por shërben si shembull për të kuptuar idenë e shtetit qendror – pivot state).

Si përfundim, në botën e sotme të fragmentuar, ku asnjë fuqi e madhe nuk përcakton axhendën ndërkombëtare, fituesit dhe humbësit do të përcaktohen nga aftësia për të gjetur dhe shfrytëzuar alternativat e duhura. Duket se kryeministri shqiptar e ka kuptuar këtë dimension dhe po e aplikon në politikën e jashtme. Në këtë  pikë, shtrohet pyetja nëse kjo politikë e jashtme është e mirëmenduar në formatin e një strategjie të mirëfilltë apo funksionon në bazë të nevojave të momentit. Krijohet menjëherë ideja se është e dyta. Ndaj, do të ishte në të mirë të së ardhmes së vendit që strategjia e zgjedhur t’i nënshtrohej analizave të thelluara për implikimet gjeopolitike të përfshirjes në aleanca të caktuara./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH