Kryesore

Pse finlandezët janë populli më i lumtur në botë?

               Publikuar në : 09:16 - 20/10/20 Enver Robelli

Enver Robelli

Një reportazh për Finlandën në një gazetë gjermane dhe disa mendime për shanset e humbura kosovare.

Gazetat e mëdha sjellin edhe reportazhe të mëdha. I kanë mundësitë të dërgojnë korrespondentë në vende të ndryshme dhe interesante, ku mund të hulumtojnë dhe shkruajnë reportazhe fantastike. Kai Strittmatter, korrespondent për vendet skandinave i gazetave “Tages Anzeiger” (Zürich) dhe “Süddeutsche Zeitung” (München), para disa javësh më shkruante në një email: “S’mund ta marrësh me mend: jam në Finlandë, po hulumtoj se pse finlandezët janë populli më i lumtur në botë”. Të hulumtosh për lumturinë në kohën e koronës, një punë e bukur. Sot është botuar reportazhi nga Finlanda. Tri faqe të gazetës. Pse, pra, finlandezët janë populli më i lumtur në botë? Për publikun shqiptar – një përmbledhje e shkurtër e reportazhit (ky është një premtim joshës për të lexuar tekstin).

1.Sipas World Happiness Report të OKB-së populli më i lumtur në botë jeton në Finlandë. Tri herë radhazi OKB e ka zgjedhur Finlandën si vendin ku ia vlen më së shumti të jetohet.

2.Një shpjegim pse finlandezët janë të lumtur ka të bëjë me librat dhe bibliotekat. Në 100-vjetorin e pavarësisë (më 2017) Finlanda nuk i dhuroi vetes përmendore, por një bibliotekë. Oodi, kështu quhet biblioteka qendrore e Helsinkit, kryeqytetit finlandez. “Një dhuratë nga një botë tjetër”, shkruan Strittmatter. Dhe vazhdon: “I lumtur është ai popull që me rastin e 100-vjetorit të ekzistencës si shtet vetes ia dhuron një bibliotekë, e cila është zgjedhur si më e mira në botë. Oodi është më shumë se bibliotekë, është një lloj dhome e ditës për banorët dhe vizitorët e Helsinkit. Aty mund të lexosh dhe huazosh libra, të takohesh me shoqëri, të organizosh festa për ditëlindje, të huazosh vegla që të mungojnë në shtëpi. “Shikoni, atje matanë është parlamenti, tempulli i demokracisë. E kemi ndërtuar (bibliotekën) Oodi në atë mënyrë që nga këtu të qëndrojmë në nivel të barabartë me parlamentin”, thotë arkitekti Antti Nousjoki. Qëllimi është që njerëzit të jetojnë në bibliotekë dhe jo të humbin kohë duke blerë, duke “bërë shoping”, siç thuhet tashmë në të gjitha gjuhët e anglizuara pa asnjë nevojë.

3.Para shumë viteve Finlanda ka miratuar një ligj për biblioteka. Në vitin 2016 finlandezët vizituan 50 milionë herë një bibliotekë dhe huazuan 68 milionë libra. Sa për dijeni: Finlanda i ka 5,5 milionë banorë. Biblioteka Oodi ka kushtuar 100 milionë euro. Shumë para? Pak para? Kush bëhet merak. Me rëndësi që populli të jetë i lumtur në odën e madhe të qytetit. A ka qenë e mundur të ndërtohet diçka e tillë në Kosovë? Ta zëmë në 10-vjetorin e pavarësisë: një bibliotekë e madhe që tërheq vëmendjen përtej rajonit, një tempull i dijes dhe – pse jo – një tempull i lumturisë? 100 milionë edhe Kosova i ka. Por Kosova i ka 100-milionshat për asfalt, për pasurim marramendës të politikanëve, për ata që pasi “çliruan” Kosovën blenë mijëra hektarë me çmime absurde të lira dhe tash ose i shndërrojnë në gurthyes ose në rançe private. Nga ana tjetër: është harxhuar shumë energji në debate shterpe mbi ndërtimin e objekteve të kultit në Prishtinë. Katedralja e ndërtuar me arbitraritet është një antiperlë arkitektonike. Xhamia që pritet të ndërtohet do të jetë e po këtij niveli të shëmtuar arkitektonik.

4.Arkitekti Antti Nousjoki thotë: “Duhet ta dini se finlandezët paguajnë me qejf tatime, sepse ne e dimë se për këtë përfitojmë diçka, por edhe për shkak se ne kemi shoqëri shumë egalitare”. Çka është shoqëria egalitare? Ajo shoqëri që është e orientuar drejt barazisë politike dhe sociale. Finlandezët i kanë dhuruar botës një fjalë, e cila e përshkruan teknikën e çlodhjes dhe prehjes shpirtërore: “Kalsarikännit”! Wikipedia e përkthen kështu këtë fjalë: “Të dehesh në shtëpi duke ndenjur i veshur vetëm në brekë”.

5.Është një klishe. Dhe klisheja thotë: finlandezët pinë shumë alkool për të mbytur depresionin në veri të Europës, ku s’ka diell dhe bie shi e borë e breshër pothuaj pandërprerë. Moti godet gjendjen shpirtërore të njerëzve. Kjo është e ditur. Klisheja tjetër thotë: finlandezi kalon shumë kohë në saunë. Kjo është e vërtetë, por çka ka të keqe nga sauna? Nuk është klishe që Finlanda është shoqëri që përpiqet shumë të ofrojë shanse të barabarta për të gjithë. Qe shembulli i Nasima Razmyar. Ajo erdhi më 1993 me familjen e saj nga Afganistani në Finlandë. Atëbotë Nasima ishte 8-vjeçare. Bënte ftohtë në kampin e refugjatëve, thotë Nasima, por “kurrë nuk e kam pasur përshtypjen se kemi qenë të varfër apo se më ka munguar diçka. Ndoshta gjëja më madhështore në Finlandë është që të gjithëve u hapen rrugët për të kapur shansin, pa marrë parasysh se ku dhe si çfarë njeriu je lindur”. Nasima Razmyar tani është zëvendëskryetare e Helsinikut, përgjegjëse për sport dhe kulturë, pra përgjegjëse edhe për të gjitha bibliotekat e qytetit. Ajo tregon se gati gjysmën e jetës së saj në Finlandë e ka kaluar në biblioteka. Një ndër dhuratat më të çmuara që kishte marrë nga një administratore e bibliotekës ishte – një librezë biblioteke, e cila i mundësonte të huazonte libra, natyrisht pa asnjë shpenzim. Kështu një vajze refugjate nga Afganistani iu hapën dritaret ndaj botës dhe ja ku është sot: njëra nga gratë që qeveris kryeqytetin e Finlandës.

6.Reportazhi i Kai Strittmatter është shumë i përshtatshëm për të krahasuar diçka që ndoshta nuk krahasohet, por prapë duhet të bëhet si vizion dhe ëndërr: pse Finlanda është kaq e lumtur dhe përse nga vendet e Ballkanit, e sidomos nga viset shqiptare, qindra-mijëra njerëz braktisin vatrat e tyre në kërkim të një jete më të mirë në Europën Perëndimore? Cilat janë parakushtet që një popull të jetë i lumtur? Në Finlandë ekzistojnë institucione funksionale demokratike, një shtet dorëgjerë, bujar, pothuaj nuk ka korrupsion, ka shanse të barabarta, barazi gjinore, standard të lartë arsimor, kohezion social, liri të madhe sa i përket vendimeve mbi modelet jetësore – të gjitha këto janë mëlmesa për një jetë të lumtur. “Shtetet e mira nuk prodhojnë lumturi”, thotë Heikki Aittokoski, autor i librit “Ishulli i të bekuarve”. Shtetet e mira “kujdesen që të zhduken të gjithë faktorët që ty mund të të bëjnë të palumtur. Në këtë fushë shtetet nordike dhe Finlanda janë tejet të shkathëta”.

7.Çfarë i bën tjetër të lumtur finlandezët? Strittmatter vëren një fenomen muzikor: në Finlandë janë të popullarizuara “Heavy Metal” dhe tango. Më 2019 Finlanda numëronte 70 bende të muzikës “Heavy Metal” në çdo 100 mijë banorë. Një popull që kalon shumë kohë në biblioteka dhe merret me muzikë – ja receta për të qenë i lumtur. Afërsia ndaj natyrës është po ashtu një faktor i rëndësishëm. Finlanda ka 187’888 liqene. Tri të katërtat e territorit janë të mbuluara me mal. Finlandezët kanë ajrin dhe ujin më të pastër në botë. Jetojnë në vendin më të sigurt në planet, kanë nivelin më të lartë të alfabetizmit në botë, shkollat e tyre dhe universitetet janë falas për qytetaret dhe konsiderohen si ndër më të mirat. Vitin e kaluar një garuese nga Finlanda fitoi konkursin për pullën më të bukur postare në botë. Edhe në këtë disiplinë finlandezët janë fantastikë. Natyrisht edhe në hokej mbi akull.

8.Qytetarët që i besojnë njëri-tjetrit dhe institucioneve janë zakonisht më të lumtur. Anketat tregojnë se askund në Europë qytetarët nuk i besojnë njëri-tjetrit, politikës, policisë dhe mediave më shumë se në Finlandë. Dhe qytetarët u besojnë me gjasë më shumë grave dhe u dorëzojnë atyre disa përgjegjësi të rëndësishme. Kryeministre e Finlandës është Sanna Marin, 34-vjeçare. Edhe këtu finlandezët janë në krye të listës: Marin është shefja më e re e një qeverie në botë. Mes punëve qeveritare ajo poston fotografi në Instagram duke i dhënë gji bebes së saj. Koalicioni i saj përbëhet nga pesë parti – dhe në krye të secilës parti gjendet një grua. Qe 30 vjet në Finlandë ka çerdhe për fëmijë që punojnë 24 orë. Ideale për prindër që punojnë deri vonë apo gjatë natës.

9.Finlandezi çlodhjen e gjen, siç u tha, në natyrë. Shpesh duke u hedhur në ujin e ftohtë akull të njërit prej 187 mijë e 888 liqeneve. 5,5 milionë banorë ndajnë më shumë se 3 milionë sauna. Onni Niemi është kampion i saunës në Finlandë. Ka qenë 9-mijë herë në saunë. Edhe këso garash ka në Finlandë.

10.Sipas Komisionit të BE-së Finlanda është prijëse në digjitalizim. Përparësia e Finlandës: kombinimi i të menduarit novator me përgjegjësinë sociale. Dhe ndërsa lexon këtë reportazh, të shfaqen disa pamje nga Kosova: biblioteka të vogla që u patën hapur para disa viteve dhe tashmë janë shkatërruar nga dora barbare. Hajvani në trajtë njeriu që s’mund të presë të dalë jashtë ndërtesës, por e ndez cigaren në ashensor. Gratë e politikanëve që orë e çast postojnë në Instagram çantat e shtrenjta që i kanë blerë në “shoping” në Zürich e Stamboll. Politikanët që tërhiqen në periferi të Prishtinës në vilat e tyre të reja dhe kësisoj tregojnë se nuk duan të përzihen me “klasën e ulët”, e cila, për fat të keq, me vite të tëra i ka votuar. Larg është Finlanda nga Kosova, vërtet po. Por ajo mund të afrohet si model nëse në Kosovë njerëzit nuk ia besojnë fatet e tyre politikanëve që s’kanë aftësi e shkathtësi tjetër përveç se të keqpërdorin çdo gjë.

Tags:

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back