
Reldar Dedaj
Në studion e një emisioni televiziv vetëm pak kohë më parë Argita Malltezi i ishte përgjigjur një pyetje të gazetarit Robert Rakipllari se nuk kishte ndryshuar qëndrim dhe se nuk kishte aspak ndërmend të futej në politikë.
Është kjo ngushticë, pra, dilema nëse do ishte apo jo koha e duhur për ta hedh hapin e për të kapërcyer matanë këtij vendimi, ajo që ka frikësuar gjithmonë por edhe që mbetet një nga makthet e rioshëve të kësaj fushe. Të gjithë ata përpiqen ta kapërcejnë atë dhe, në këtë synim drejt daljes, disa rrëzohen më afër e disa më larg. Argita Malltezi mund të jetë nesër një mundësi, por që ende vazhdon, hë për hë, të paktën, të struket në folenë e të atit.
Përtej, nëse fjalimi i saj i mbajtur në Kuvendin Kombëtar të PD-së së “Rithemeluar“ do analizohej me kujdes, secili prej nesh do arrinte të shquante faktin se çdo gjë e thënë aty para delegatëve demokratë ishte në të kundërt të asaj që tha para gazetarit Rakipllari. Thelbi i tij qëndronte tek të këqijat e mos angazhimit të qytetarëve të fokusuar në interesa të tjera, ndërkohë që në Shqipëri po instalohet një regjim që s’ka asgjë të përbashkët me demokracinë.
Malltezi e shpjegoi edhe më pas për gazetarët thelbin e fjalimit të saj: “Nëse ka një të keqe që vjen, ajo është e keqja që vjen butësisht, keqësisht, kur ti mendon se nuk duhet të reagosh se është një gjë e vogël dhe banale. Por, në fakt e keqja bëhet imponuese pikërisht kur ti e ke neglizhuar”, tha ajo.
Argita Berisha Malltezi mund të kishte të drejtë në fjalën e saj të mbajtur para qindra delegatëve demokratë, të cilët nga ana e tyre, do ishin të gatshëm të pranonin çdo zgjedhje të të atit, ashtu siç ka ndodhur në fakt edhe më herët, duke pranuar çdo shije të tij, çdo zgjedhje, çdo veprim, çdo fjalë, po me atë pathos dhe dashuri do pranonin edhe vajzën e tij në krye të tyre. Ajo do ishte ndoshta edhe më e besueshme dhe një mundësi më përfekte nëse nuk do ishte akuzuar për përdorim të partisë së të atit në favor të interesave të saj personale. Do ishte akoma edhe më e besueshme nëse ajo nuk do njësohej nga SHBA dhe Britania e Madhe me pushtetin e pa shpagueshëm, të pandëshkueshëm, në format më të maskuara, në mënyrat më të justifikueshme, atë pushtet, që herë në emër të atdheut dhe herë në emër të shoqërisë, herë në emër të ligjit dhe të qytetarisë, herë në emër të rregullit dhe të drejtësisë, herë në emër të demokracisë dhe revolucionit, nakomandon, na kërcënon, na budalleps, na e shkërdhen nënën.
Atë pushtet që më kot përpiqesh ta vrasësh me ushtën e Don Kishotit, sepse ai lind prej kufomës së vet, mbase me një fytyrë tjetër dhe mënyrë tjetër të foluri. Lind dhe na thotë se ka ardhur në këtë botë sipas “vullnetit të Zotit“. Ka ndodhur gjithmonë kështu, do të ndodhë gjithmonë kështu. Është pikërisht ai pushtet që fëmijet e dalë prej barkut të tij, i numërojnë milionat e eurove si kokrra kikiriku.
Megjithatë, nuk duhet harruar se katapultimi i Argita Malltezitdrejt majave të PD-së së Rithemeluar, mund ta kurojë, deri-diku, paranojën e Berishës për një pasardhës tjetër besprerë, por s’mund të retushojë kurrsesi bindjen e kundërshtarëve politikë që e akuzojnë se po e përdor PD-në për veten dhe për familjen.