Profesori i për Çështjet e Sigurisë në UET Prof. Dr. Kristaq Xharo shpjegon se për një kohë të gjatë u mendua se bota, pavarësisht nga sistemet politike po ecte në një drejtim dhe kjo në saj të globalizmit. Dhe vërtetë u besua që globalizmi e ktheu botën në një fshat të madh.
Askush nuk e mendonte se mund të kish ndonjë forcë apo ide që të mund ta ndalonte për ndonjë çast këtë lloj lëvizje. Por, një ditë, krejt pa pritur, një ‘gjë’ aq e vogël, tërësisht e padukshme, korona virus, globin e përdori si një top futbolli që po e përplas kënd më kënd dhe po e trajton si një tullumbace. Aq rëndë e tronditi pandemia këtë botë sa në daljet e tyre liderët e mëdhenj më tepër i kanë varur shpresat te zoti e shkenca’ se sa te fuqia e rëndë që kishin krijuar. Edhe mendjet më të ndritura e kujtonin vitin (1648), Traktatin e Vestfalisë, si një histori 400 vjeçare që tashmë kish përfunduar. Por sa hap e mbyll sytë shtetet harruan parimet morale, por edhe ombrellat e mëdha dhe aleancat e ‘shenjta’ dhe u kthyen aty ku nisën, të gardhet e mëdha nacionale duke rrëzuar shumë teori dhe parashikime. Solidariteti duket shumë i vogël përballë ‘guaskave’ të mbyllura të sovranitetit. Dhe në mënyrë ironike solidariteti po shfaqet prej atyre që perëndimi i kish dhënë damkën e ‘autoritarizmit’.
Pothuajse gjithë liderët botëror shprehen se shtetet kanë hyrë në luftë. Kjo është pak e vështirë për publikun të konceptoj një luftë të tillë. Çfarë e dallon këtë luftë nga luftërat e mëparshme që njohim apo kemi vuajtur?
Është e vërtetë që jemi në luftë botërore, ku numri i viktimave në rritje është shfaqje e pasojave të kësaj lufte. Por, kjo është një lloj tjetër lufte që kemi dëgjuar apo parë. Kjo luftë nuk ndahet në palët që jemi mësuar të njohim, ku sulmuesit dhe mbrojtësit ndahen kryesisht nga qëllimi. Edhe frontet e luftës mungojnë: nuk ka rajon dislokimi, bazë nisje, vijë sulmi dhe vijë të parë , të dytë apo thellësi mbrojtje. Është ironike ti mendosh në luftë spitalet si “kështjellat të mbrojtjes”. Nuk është parë ndonjëherë në historinë e parë dhe moderne ku ‘kështjella të mbrojtjes’ e ndoshta të fitores sot po konsiderohen spitalet. Në çdo kohë tjetër spitalet ndodheshin larg ose jashtë hapësirës së luftës. Nuk ka as luftëtarë me uniformë. Keni vënë re që edhe makineritë e luftës po vështrohen si lodra idiote.
Meqenëse coronavirus është një pandemi globale, a po zhvillohet edhe lufta në mënyrë globale?
Pyetja është interesante. Pandemia është globale dhe fakt që harta është ngjyrosur me këtë virus 193 vende. Në këto kushte të gjitha shtetet janë në luftë. Agresori (virusi) u shfaq aq papritur sa pothuaj të gjithë vendet (veç e veç) u gjendën në cep të ringut dhe vetëm po përpiqen të gjejnë mënyra për tu mbrojtur. Këtu nuk bëhet dallim midis fuqive të mëdha apo vendeve të vegjël. Edhe strukturat që ata kishin krijuar,organizatat ndërkombëtare apo edhe aleancat e mëdha u kapën në befasi e pa axhendë. Çdo vend tani po lufton luftën e vet pa arritur të bashkohet në një front të vetëm. Mungesa e strategjisë dhe e kapaciteteve minimale për këtë lloj lufte ka kthyer si qellim reduktimin e humbjeve, aq sa fitore konsiderohet mënjanimi, izolimi dhe larja e duarve, në pritje të një vaksine magjike. Ndryshe nga sa mendohej që vendet të afroheshin, të bashkoheshin e të krijonin kapacitete për ta luftuar bashkërisht këtë armik, ato ngritën gardhet e vjetra –kufijtë. Pra në përgjigje të pyetjes suaj për llojin e luftës, kjo lloj lufte është thjesht nacionale që i ngjan më tepër luftës partizane.
Në të vërtetë, bota apo më të fuqishmit e globit krijuan struktura për të zgjidhur ceshtje të mëdha të sigurisë. Cili është roli i tyre në këtë luftë?
Është një çështje me interes. Besohej se arsyeja për të cilën ishin krijuar dhe organizatat, traktatet, marrëveshjet dhe aleancat ka qenë përballja me ceshtje ndërkombëtare, kryesisht të sigurisë. Dhe kjo më së paku, për kohët moderne ku shtetet kanë menduar që mënyra më e mirë për tu përballur ka qenë vetëm në mënyrë kolektive e globale. Që nga Traktati i Vestfalisë 91648), pas Luftës 30-vjeçare që asgjësoi, gati gjysmën e Europës, më tej në Koncertin Europian (1815-1914) që ‘qeverisi’ botën për gati 100 vjet, për Lidhjen e Kombeve pas Luftës së Parë dhe Pandemisë së Gripit spanjoll, me mbi 20 milionë të vrarë, deri te për OKB, NATO-n, OSBE, organizata rajonale në çdo anë të globit, të gjitha janë ngritur më së paku mbi këtë ide. Dhe ndoshta një kërcënim kaq global, mënyra më e mirë mendohej se do të ishte përballja globale, por goditja ka qenë kaq marramendëse sa ka çoroditur axhendat e ombrellave më të mëdha: K.Sigurimit, g7, g20 bile edhe të BE.
Përveç kapjes në befasi, e të papërgatitur, çfarë mendoni se nuk po funksionon në aftësinë për t’u përgjigjur efektshëm pandemisë.
Sigurisht që analiza dhe vlerësime do të jenë me shumicë pas mbarimit të luftës, por siç e shtroni pyetjen edhe ju, është fakt që pothuaj të gjitha organizatat dhe shtetet ishin përgatitur për modele të tjera kërcënimesh dhe kishin ngritur kapacitete për sukses në atë lloj lufte. Kërcënimet vlerësoheshin konvencional dhe hibride ose simetrike dhe asimetrike. Strategjitë e deritanishme – thotë Joseph Ney, themeluesi i teorisë neoliberale- përqendrohen në konkurrencën, dhe balancën e fuqisë, pak e ndryshuar që nga 1815, në Koncertin Europian. COVID-19 po tregon se kjo strategji është e pamjaftueshme. Sigurisht që çdo vend ka parësor interesin e tij kombëtar; por pandemia tregoi për nevojën e një harmonie me sigurinë rajonale e globale. COVID-19 tregoi paaftësinë e modeleve aktuale të strategjisë për të parashikuar në këtë botë të re. Pra mungesa e strategjisë dhe e kapaciteteve të organizatave i ktheu ato thjesht në makineri burokratike
Ndoshta kjo të çon në një pyetje tjetër si është reagimi i organizatave dhe aleancave ndaj kësaj krize të përbotshme. Më konkretisht NATO dhe BE.
Pyetja lidhet qartë me situatën. Model analize mund të jetë Italia, anëtar i BE dhe NATO-s. Pak më vonë, në të njëjtën situatë mund të jetë Spanja ose Franca, të cilat pothuaj janë gjunjëzuar përpara pandemisë. Dilema e madhe lidhet me lëkundjen e besimit ndaj organizatave të cilat konsideroheshin si shtëpi e përbashkët. Në mënyrë paradoksale ndihmat e solidariteti më i shpejtë vëndeve të goditura nuk ju erdhi as nga organizata apo aleatët tradicionalë, por nga të tjerë: Kina, Rusia e Kuba etj. Prej kësaj mund të vijmë në disa reflektime. Së pari, duket se organizatat u gjendën të papërgatitura me këtë lloj rreziku, ato u hutuan dhe çoroditën. Së dyti, duke qenë konturuar për kontekste të tjera, me strategji të tjera, ato e humbën axhendën e tyre. Makinat e tyre të mëdha burokratike lëvizën ngadalë. Së treti dhe këtu mund të shohim edhe anën më pozitive: solidariteti midis vendeve dhe njerëzve është më i shpejtë dhe i prekshëm se formatet burokratike. A e godet pandemia besimin e njerëzve në organizatat? Njerëzit dëshirojnë të ndjejnë dhe të prekin atë për të cilën kanë nevojë. Organizatat, aleancat kanë efekt kur tregojnë se ndodhen pranë njerëzve dhe shteteve.
A do ta zhvendos pandemia gjeopolitikën globale
Diskutimet më të shumta në këtë periudhë lidhen me pasojat e shëndetit publik të COVID-19, dhe më pak diskutime të mjaftueshme për pasojat gjeopolitike të pandemisë. Duke ditur që mjaft ekonomi do të ndikohen negativisht dhe mjaft të tjera do të kalojnë në kolaps. Ndërveprimet midis vendeve dhe perceptimet për njëri-tjetrin do të ndryshojnë si pasojë e mënyrës se si është trajtuar kjo krizë. Dhe kjo do të prekë si aleatët dhe kundërshtarët në masë të konsiderueshme. Por, edhe pse kjo është shumë e qartë: kur mjegulla të shpërndahet pas pandemisë, e qartë është që nuk do të jemi në të njëjtin pozicion që ishim pak kohë më parë. Rasti më interesant do të jetë Italia.
Për Italinë dhe Ballkanit?
Gjithçka do të varet nga mënyra se si do ta përballojnë krizën aktorët gjeopolitikë. Askush nuk dëshiron të humbasë influencë ashtu si çdokush do të shfrytëzojë vakuumin që mund të krijohet. SHBA dhe BE, natyrisht, janë plotësisht të vetëdijshëm që Pekini është në kërkim të vakuumeve të tilla. Roma "ulëriti për ndihmë kur bëhej fjalë për ventilatorë dhe maska", tha Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio. Europa nuk dëgjoi. Ndërkohë, që Kina nisi avionët me ekipe dhe pajisje. Edhe kryeministri spanjoll, grek dhe serb u garantuan për ndihma të menjëhershme. Duke perifrazuar një studiues të famshëm Covid-19 ka qenë si rrezet ‘x’ që ekspozuan instinktet themelore të mbijetesës së vendeve dhe organizatave pan-nacionale përballë sloganeve të shqiptimeve të tyre zyrtare.
Dhe në mbyllje
Desha të përfundojë me vlerësimin e Robert Kaplan, bestseller për 19 libra për çështje ndërkombëtare, i cili periudhën që po kalojmë e konsideron si fundin e fazës së parë të globalizmit. Kjo kohë e pandemisë do të jetë forcim kufijsh midis Amerikës, dhe Evropës për të ndaluar përhapjen e virusit. Ata mund të qëndrojnë të ngurtësuar edhe të nxitura nga populistët dhe nacionalistët. Fundi i pandemisë, sipas tij do të jetë edhe fillimi i fazës së dytë të Globalizmit. Në këtë fazë, nacionalistët dhe populistët mund të përfitojnë në fillim nga ndarjet politike të nxitura nga pandemia, kriza e koronavirusit - së bashku me një ngjarje tjetër kataklizmike që po nuk u ndalua mund ti vijë botës, ndryshimi i klimës. Por në periudhë afatgjatë, për dekadën tjetër, koronavirusi do të jetë ngjarje politike, ekonomike dhe psikologjike që do të jetë bazë dhe drejtim për pjesën më të madhe të trazirave gjeopolitike që ne me sa duket do të shohim. Vetëm në plotësinë e kohës do të rezultojë të jetë vetëm një fazë tjetër përmes së cilës njerëzimi kalon: por, jo fundi i historisë…
Prof.Kristaq Xharo: pedagog për ceshtje ndërkombëtare të strategjisë /Gazeta Liberale