Kompanitë Pfizer dhe Moderna po testojnë vaksinat kundër versionit të ri të koronavirusit që po shpërndahet shpejt në Britaninë e Madhe.
Moderna pret të dëshmohet imunitet nga vaksina e saj kundër varianteve të ndryshme. Kompania farmaceutike do të kryejë teste të reja gjatë javëve të ardhshme për ta konfirmuar këtë gjë.
“BioNTech”, partnere e kompanisë “Pfizer”, ka shprehur bindjen se vaksina do të jetë funksionale edhe kundër variantit të ri të virusit. Shtetet anembanë botës ia kanë mbyllur kufijtë Britanisë së Madhe nga frika e versionit të ri, jashtëzakonisht infektues të koronavirusit.
Varianti nuk është i pari version i ri i virusit të pandemisë, por shqetësim ka ngritur fakti se ka shkallë 70 për qind më të lartë të bartjes sesa forma e mëhershme.
Ndërkaq Serbia është bërë shteti i vetëm i Ballkanit që ka siguruar të martën dozat e para të vaksinës së “Pfizerit”. Me 4.800 dozat, vendi parasheh nisjen e vaksinimit gjatë ditëve në vijim.