Një ndër zërat më të fortë publikë, i spikatur me kurajon për të thënë të vërtetën pa kompromis, ashtu siç e besonte, Maks Velo la gjurmën e tij në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë, me profilin e njeriut që zgjedh të luftojë për t’i mbetur besnik vetes dhe vlerave që mbronte.
Maks Velo ka ndërruar jetë, në moshën 84-vjeçare, ndërsa shoqëria shqiptare humbi një qytetar të kultivuar me dije, virtytin e qëndresës dhe etjen për të kontribuar në emancipimin dhe zhvillimin e këtij vendi.
Maks Velo lindi në Paris, më 31 gusht 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi kaloi fëmijërinë. Pasi mbaroi gjimnazin, vazhdoi studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e inxhinierisë së ndërtimit. Më pas u specializua për arkitekturë dhe në vitin 1960 mori pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë. Vite më vonë punoi pranë byrosë së projektimit të Tiranës. Vitet ‘78-‘79 përkojnë me periudhën më të vështirë të jetës së tij, kohë kur u arrestua dhe u dënua me dhjetë vjet burg.
Maks Velo ishte piktor, arkitekt, studiues dhe shkrimtar i njohur. Ai vuajti denimin në burgje gjatë regjimit komunist dhe një pjesë e krijimtarisë së tij i është dedikuar dimensionit të lirisë në diktaturë. Gjatë viteve të fundit ka marrë pjesë gjerësisht në debatet për menaxhimin e hapësirës publike përmes artikujve publicistikë dhe aktiviteteve të tjera.
Edhe pse njihej si arkitekt ndërkombëtarisht, la pas vepra në telajo, por edhe libra me kujtime nga koha kur publicistika dhe arti i tij i kundërvihej komunizmit. Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: "Kokëqethja", "Palltoja e burgut", "Thesi i burgut", "Paralele për arkitekturën", "Kohë antishenjë", “Betonizimi i demokracisë”, “Hetimi”, “Spaçi”, "Jeta ime në figura", ”, ndërsa i besoi UETPRESS romanet “Klubi Karavasta”, “Përkthyesi”, dhe “Jetë paralele”.
Romani “Klubi Karavasta” zhvillohet në një 10-vjeçar, gjatë viteve 1992-2002, një nga dhjetëvjeçaret më të rëndësishëm dhe dramatikë në historinë e Shqipërisë. Ngjarjet në pjesën e parë zhvillohen midis viteve 1992 deri më 1997, me rrëzimin e piramidave. Pjesa e dytë e romanit përfshin periudhën 1997-2002”.
Pjesëz nga libri – Mund të të duket e çuditshme, por unë analizën e komunizmit e bëj me shishen e qumështit. Kjo ka mbetur e palëvizur brenda meje për pesëdhjetë vjet. Nëse komunizmi do të kish zgjidhur prodhimin e qumështit, besoj se do kish triumfuar. Por nuk e zgjidhi dot dhe dështoi. Në fakt këtë metodë, sado joshkencore që mund të duket, e caktoi vetë jeta. Unë isha një figurë e vogël në tërë këtë histori, një dëshmitar i rastit.
Për mua komunizmi filloi dhe mbaroi me luftën për një shishe qumësht. Kishim ardhur nga Korça në Tiranë aty nga fillimet e viteve pesëdhjetë. Komunizmi ish akoma lehonë. Banonim në MUSKATET, në ca si pallate të vegjël, me qerpiç, tip jugosllav i thoshin. Ishin pesë pallaçina të vogla dykatëshe në dy rreshta. Kur shkoja para vilave të Aviacionit ndërtuar nga italianët, kuptoja ndryshimin e madh. Bulevardi lëshonte një avull përvëlues.
Po ecja nga fundi i tij drejt qendrës rrethuar me godina veshur me travertin, ndërtuar nga italianët në vitet dyzetë. Pishat anës trotuarit formonin një kupolë horizontale. E gjithë hapësira ngjasonte si një dekor fashist. Në dorën e djathtë bidoni dylitërsh prej alumini tundej lehtë se ish bosh. Ato ishin Fashizmi, me mermer; këto ishin Komunizmi me qerpiç….
…Stuhia filloi papritur ashtu siç derdhet një shishe me bojë kine mbi një letër. Asgjë nuk ish e përcaktuar: deti, këneta, toka, qielli sikur luanin kumar, duke i marrë letra njëri-tjetrit. Madhështia e gjëmimeve shuante fëshfërimën e butë të kallamave. Shiu filloi me pika të mëdha. Kufijtë u zhdukën. Këneta foli …
“Jam magjistarja e deteve e tokave e qiejve. Jam skena ujore ku luhet shfaqja”.
Papritmas, larg, horizonti u skuq. Shiu pushoi. Një kallam drejtoi trupin. Një tufë rosash kuakërinë dhe pastaj morën fluturimin. Si në fillimin e botës.
Kallamat përkulen si femra. Mbi ujin e zi të kënetës, projektohet hija e tyre. Në asnjë vend tjetër qielli nuk është aq afër me tokën sa këtu. Këneta nuk lëviz se jetën e ka brenda saj në cekëtirë. Është mrekullia e palëvizshmërisë. Mbi kënetë edhe qielli ndalet, vetëm shpezët fluturojnë. Këneta është toka e mbytur, është dorëzimi, pranimi, pajtimi, pafajësia vetë.
Kur lejlekët nisin fluturimin duket sikur fillon së pari jeta mbi tokë. Këneta s’ka valë të fuqishme, valët e saj janë të buta, harmonike, si ledhatimi i femrës. Për njerëzit që duan shpendët, ajo është misteri i madh i takimit.
Peshkimi u vajti mbarë…..
… Te gjithë shtetasit i kish zënë një sëmundje pa shërim si një epidemi kolere. Të gjithë donin të ndërtonin, nuk kish rëndësi çfarë. Nuk ngeli njeri pa ndërtuar o një kioskë, o një ballkon, o një mur pa leje. Ose duke bërë një pallat gjashtë katesh, o një vilë, apo haur për lopët a një dyqan. Vetëm në Mesas nuk kish asnjë ndërtim pa leje. Kjo duhet të kish dy arsye, ose qytezën nuk e përfillte njeri, ose qyteza ish e mallkuar.
Se kush tha: “Këtu është fundi, vjen njeri në fund?. E do njeri fundin?“… /Gazeta Liberale