Analizë

ANALIZË nga Kristaq Xharo: Trump ante portas...

Shkruar nga Liberale

Kristaq Xharo*

Titulli “Trump ante portas” i referohet një trajte alegorike të shprehjes latine "Hannibal ante portas", që e shqipëruar është "Hannibali para dyerve". Hannibali, një gjeneral i lashtë kartagjenas, udhëhoqi ushtrinë e tij në Luftën e Dytë Punike (218-201 p.e.s.), me një marshim të paimagjinueshëm mbi Alpe për të sulmuar Romën. Për çfarë ndodhi me pas me perandorinë romake edhe Hanibalin i takon historisë…por e sjell në ditët tona, shprehja paralajmëron një realitet seriozisht shqetësues, të rrezikshëm apo edhe të frikshëm. Trump tashmë ndodhet përpara dyerve të Shtëpisë së Bardhë dhe situatës tronditëse të sigurisë i shtohet edhe një tjetër dilemë e madhe. Në këtë kontekst, tre çështje afrohen në këtë opinion: ku po shkon bota; a e turbullon Trump edhe më shumë këtë botë; dhe dilemat e një vendi të vogël në një rend botëror të çoroditur.


‘Trump ante portas’, jo thjesht si person, por më tepër si tendencë dhe lëvizje sfiduese për këto kohë të turbullta. Në perëndim, ardhja e Trump dhe pasojat e mundshme janë kthyer në temë e ditës jo vetëm për median, por më tepër për politikën. Besohet se do të lëkundet edhe boshti i gjeopolitikës i fuqive të mëdha.me ardhjen e Trump? Duke ndjekur fushatën e ashpër të ish presidentit ndjehet që shumë pak ka ndryshuar nga Trump 1.0. Slogani i famshëm “Make America Great Again” nuk sfidon vetëm politikën amerikane, por gjithë perëndimin, fuqitë e mëdha, shtetet e vegjël dhe kolonat ku mbështetet siguria dhe rendi politik: NATO dhe BE.

Në një artikull të mediumit amerikan Politico me titull ‘Can Europe survive Trump 2.0 ?’ afron një analizë mbështetur edhe nga opinione të politikanëve të lartë amerikanë e europianë, për sfidat që mund të shoqërojnë rizgjedhjen e Trump në Shtëpinë e Bardhë. E përbashkëta mbetet vlerësimi i kësaj ngjarje si një skenar makthi për evropianët... Trump i vetnjohur si ‘një gjeni konstant’ ndaj mbetet e dyshimtë nëse ai ishte serioz apo ‘luajti’ vërtet me idenë e tërheqjes nga NATO, apo kur e cilësoi Bashkimin Evropian një "foe" – ‘armik’ dhe Brukselin, selinë e institucioneve të bllokut, një vend "ferri"? Atëherë ishte 2018, dhe sipas Bolton, ky kurs veprimi u devijua vetëm falë ndërhyrjes së personaliteteve të larta në kabinetin Trump e jo tërheqjes së tij. Këtë e bëri Jim Mattis, John Kelly, Rex Tillerson, Mike Pompeo dhe madje edhe Mike Pence thotë më tej Bolton. Por, nëse rizgjidhet, tashmë duket e vështirë, në mos e pamundur, që Trump të ftojë figura të tilla kaq të fuqishme në kabinetin e tij... kur me të gjithë, ai, thuajse, i ndau rrugët.

Analistët e sigurisë, që shohin ‘ Trump ante portas’ debatojnë për një skenar me pamje të frikshme e gati alarmante për NATO-n, ku në mungesë të lidershipit strategjik i SHBA-së, vendet evropiane do të përballeshin me çështje që duket se shkojnë përtej kapaciteteve të tyre të fuqisë : si do të riorganizohej aleanca e sigurisë; cili do të mund të ishte në krye; e nëse do të mund të vazhdojë të ekzistojë NATO? E më tej, a do të bënin sakrifica vendet evropiane ndaj modelit të tyre të mirëqenies sociale për të alokuar shpenzime shumë më të larta për mbrojtjen? A do të ketë fuqi amendamenti i propozuar nga senatori demokrat Tim Kaine dhe senatori republikan Marco Rubio për të shmangur një largim nga NATO? Vështirë sepse, shqetësimit i shtohet ndjenja, se një Trump i rizgjedhur mund të ndihet shumë më i fuqishëm, i pathyeshëm e i pakritikueshëm. Nëse asnjë nga akuzat penale nuk e pengojnë atë të hyjë në Shtëpinë e Bardhë pse duhet ai të ndjejë ndonjë kufizim në sjelljen e tij.
Si po e rigjen Trump botën? – Duket se shtetet po përgatiten për luftë...A do ta shmang Trumpi një tjetër Lufte e Madhe? Termi ‘Luftë e Madhe’ u përdor për herë të parë për Luftën e Parë Botërore, si një luftë që do tu jepte fund të gjitha luftërave. Por, dihet si filloi e përfundoi. Për shumë politikanë perëndimor edhe studiues mjedisi aktual i sigurisë duket se i përngjan frikshëm kësaj lufte, më tepër edhe se atyre, që erdhën më pas, Luftës së Dytë dhe Luftës së Ftohtë. Edhe pse politologu dhe studiuesi amerikan Francis Fukuyama në librin e tij “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit” besonte për triumfin e demokracisë dhe të rendit të ri botëror, kjo nuk do të ndodhte. As ajo që Tomas Friedman në mënyrë metaforike do të shprehej se ‘...midis dy vende që kanë McDonald nuk ka luftë...’ u rrëzua po aq shpejt...

Në këtë kontekst, 5 vjet më parë, në shtator 2018, kancelarja Merkel i kërkoi kabinetit të saj, por edhe parlamentit të lexojnë librin “Somnambulët: si shkoi Evropa në luftë më 1914”, një libër, që analizon situatën dhe shkaqet e Luftës së Parë Botërore dhe dështimet politike që kontribuuan në atë katastrofë. Më tej, kancelarja sugjeroi se situata e sotme ka më shumë ngjashmëri me Evropën e viteve 1914 – 1918, krahasuar me ndonjë periudhë tjetër tensioni në këto 100 vite.
Autori i këtij libri, Christopher Munro Clark, ndërsa bën një analizë të nivelit makro për zhvillimet ndërkombëtare, nuk harron asnjëherë të theksoj se më tepër ndikuan zhvillimet e brendshme dhe dështimet politike, ato që çuan në katastrofën e Luftës së Parë. Merkel beson që ngjasimet midis periudhave lidhen multipolaritetin gjeopolitik, me prishjen e balancave të fuqisë, me rritjen e nacionalizmit populist, shoqëruar me kriza sfidonte migruese mjedisore dhe financiare si parakushte që krijonin premisa për një konflikt botëror, ndoshta edhe fundin e një epoke. Kur bëhej ky krahasim, ende nuk kishin ndodhur lufta e Rusisë në Ukrainë, apo edhe Gaza për të cilat jo pak personalitete deri te papa i Romës, nuk ngurojnë ti cilësojnë si ‘hyrje’ në Luftën e Tretë. Sigurisht, që kjo situatë është një goditje çoroditëse për dishepujt e ‘paqes kantiane’, apo paqes së përjetshme që Emanuel Kant do ti afronte si model për librin e tij ‘Zum ewigen Frieden’.

Mbijetesa e vendeve të vegjël. Më tepër se të mëdhenjtë europianë, të turbulluar për ardhjen e Trump dhe të ardhmen e NATO-s janë vendet e vegjël, të cilët përbëjnë shumicën e aleancës me rreth 20 nga 31 anëtarë. Ato e shohin bashkimin me këtë aleancë si një strategji për të ruajtur dhe promovuar sovranitetin dhe interesat e tyre kombëtare. Nuk është bast, se përsa kohë do të jetë NATO, edhe vendet e vogla do të kenë garancinë e sigurisë dhe mbijetesës. Por, historia ka treguar se një ditë edhe perandoritë edhe aleancat e mëdha bien e jetojnë më pak se kombet. Milan Kundera në ‘Tragjedia e vendeve të Evropës Qendrore’ thotë se "Kombi i vogël është ai komb ekzistenca e të cilit mund të vihet në pikëpyetje në çdo moment ... dhe ai është i ndërgjegjshëm për këtë. " Prandaj kombet ndërtojnë strategji edhe për një ditë të tillë duke menduar për të ardhmen, por duket se e ardhmja është tani...


Vendit tonë për mbijetesë i kërkohet të ndjek një strategji të ‘madhe’ ndryshe ‘grand strategy’ në respekt të tre alternativave, që qartas e paraqet David Mitran: e neutralitetit; e bashkimit në aleanca të fuqishme dhe e partnershipit strategjik. Ne në 100 vite kemi pasur mundësinë historike ti përjetojmë të tre këto alternativa. Neutraliteti, megjithëse duket edhe më joshës, për shkak të përvojës tragjike devijon nga prirja për zgjedhje. Edhe për dy alternativat e tjera kemi marrë mësime që dihen... Në këtë kontekst, edhe pse vlerësohet, se vendi ynë ndodhet në pozicionin e tij natyral në aleancë, por edhe me partner strategjik, që historikisht i motivojnë mbijetesën, kjo nuk e zvogëlon nevojën që si shtet e si komb të rivlerësojmë e të rrisim kapacitetet tona të fuqisë si ‘të fortë’ po aq edhe ‘të butë’.
* Kristaq Xharo: Prof. Dr. Lektor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH