Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Nga Jozefina Topalli te Elisa Spiropali, militantizimi i postit të kryetarit të kuvendit

Shkruar nga Liberale

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Nga Jozefina Topalli te Elisa Spiropali,

Ervis Iljazaj

Në republikat parlamentare, posti i kryetarit të kuvendit konsiderohet si numri dy i shtetit pas presidentit të republikës. Në hirarkinë e institucioneve dhe në protokollin e shtetit, kryetari i kuvendit konsiderohet më i rëndësishëm se ai i kryeministrit. Për arsyen se drejton institucionin themelor të demokracisë, dhe duhet ta bëjë këtë gjë vetëm duke zbatuar kushtetutën dhe rregulloren e kuvendit, duke moderuar dialogun dhe debatin politik dhe duke mbrojtur parimet e demokracisë kushtetutese.

Për këtë arsye, në vendet demokratike të Europës Kontinentale, në krye të këtij institucioni vendosen figura politike me peshë dhe ndërgjegje institucionale të lartë. Sigurisht, personat që emërohen në këtë post vijnë nga një parti e caktuar, por në momentin që marrin këtë detyrë ata largohen nga çdo aktivitet politik i njëanshëm për të dhënë idenë e barazlargësisë nga palët politike dhe për ti dhënë këtij roli neutralitetin e duhur. Madje, në disa parlamente europiane, kryetarët e kuvendit nuk marrin pjesë në votimet parlamentare pikërisht për të dhënë mesazhin neutral të postit të kryetarit të kuvendit.

Në Dhomnë e Deputetëve të Italisë për shembull, për ta mbrojtur politikisht Kryetarin e Kuvendit, nuk ekziston shkarkimi apo mosbesimi ndaj tij. Në momentin që ai zgjidhet, mandati i tij zgjat deri në përfundim të mandatit parlamentar.
Për mos të folur për ‘Speakerin e House of Commons’ në Britaninë e Madhe, që është modeli i drejtimit parlamentar neutral par ‘excellence’.

Edhe në Shqipëri, në hirarkinë e institucioneve, Kryetari i Kuvendit është numri dy i shtetit, por fatkeqësisht në krye të institucioninit është futur kultura e militantizmit partiak, duke e zhveshur këtë post nga rëndësia që ai ka dhe neutraliteti kushtetutes mbi palët që lipset për të drejtuar punimet parlamentare.

Për shembull vetëm disa ditë më parë, Edi Rama emëroi si drejtuese politike për qarkun e Tiranës as më pak dhe as më shumë se sa Kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropalin. Nuk ka vend në botë, të paktën në botën demokratike që kryetari i kuvendit të drejtojë fushatën elektorale të një partie të caktuar. Për faktin e thjeshtë sepse duke qenë se drejton institucionin më të rëndësishëm në një demokraci, drejtimi i fushatës elektorale e fut atë në një konflikt interesi gjigand me detyrën që ka dhe misionin që ky post ka.

Militantizimi i postit të kryetarit të kuvendit duke e nxjerrë atë nga misioni kushtetutes që ai ka, sigurisht nuk filloi me Elisa Spiropalin. Në fakt, shumica e kryetarëve të Kuvendit e kanë drejtuar parlamentin si militantë partie dhe jo si numri dy i shtetit.

Edhe pse disa figura si Pjetër Abnori, Namik Dokle, janë munduar që ti japin këtij posti një lloj neutraliteti dhe përgjegjshmërie institucionale.
Por kultura e militanti politik në krye dhe në drejtimin e punëve të parlamentit, padyshim ka filluar me Jozefina Topallin. Asnjëherë më parë Parlamenti i Shqipërisë nuk kishte parë një drejtim të punimeve parlamentare aq militanteske dhe qesharake. Të gjithë i mbajnë mend duartokritjet e zonjës Topalli pas çdo fjalimi të Sali Berishës apo sulmet që ajo bënte ndaj kundërshtarëve politikë të opozitës. Një turp institucional që u fut si kulturë më pas për të gjithë drejtuesit e kuvendit.

Në këtë kuptim, ky post tashmë është zhveshur nga çfarëdo lloj serioziteti që i takon, nga çfarëdo lloj neutraliteti dhe misioni që ka për të ruajtur balancat politike aq thelbësore në një demokraci, dhe është kthyer në një zyrë partiake e partisë në pushtet. Kjo është një kulturë e turpshme që duhet të marrë fund sa më shpejt. Kryetari i Kuvendit për rolin dhe misionin që ka, nuk mund të jetë kurrsesi një person që merr pjesë në aktivitetet partiake, dhe aq më tepër të drejtojë një fushatë elektorale.
Megjithatë, kur në Shqipëri, në fushata elektorale kanë marrë pjesë presidentë të Republikës në detyrë, nuk bënë aspak çudi që fushatat elektorale ti zhvillojnë edhe kryetarët e kuvendit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH