Ervis Iljazaj
Afro 40 për qind e popullsisë së Shqipërisë jetojnë jashtë vendit. Me këto shifra, Shqipëria renditet midis vendeve europiane e botërore me emigrimin më të lartë për frymë të popullsisë. Kryesisht emigrantë pune, studentë, azil-kërkues e refugjatë, si dhe minorenë të pashoqëruar. Problemi qëndron se gjithmonë e më shumë shqiptarët duan të ikin nga Shqipëria, sidomos të rinjtë. Në të gjitha sondazhet del që shumica e të rinjve e mendojnë të ardhmen e tyre jashtë Shqipërisë. Disa ja dalin dhe ikin, disa të tjerë vazhdojnë dhe jetojnë këtu. Nëse emigracioni shqiptar vazhdon me këto ritme si në dekadën e fundit, numri i popullsisë së Shqipërisë që jeton jashtë vendit me siguri do ta kalojë shifrën 40 përqind.
Sigurisht që, shifra të tilla tregojnë për një dramë njerëzore të konsumuar përpara syve tanë, dhe, që askush nga ata që patën mundësinë nuk bëri asgjë për ta ndaluar.
Pothuajse gjysma e shqiptarëve jetojnë jashtë Shqipërisë. Kjo është një shifër alarmante, e cila nëse vazhdon me këto trende do të ketë pasoja të parikuperueshme për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.
Emigracioni, përderisa do të kemi të bëjmë me një botë të globalizuar dhe të hapur, do të vazhdojë të jetë një fenomen që s’ka për tu ndalur asnjëherë. Në këtë kuptim, shqiptarët nuk janë i vetmi popull që emigrojnë. Mjafton të përmendim e rastin e Italisë, e cila është një nga vendet më të zhvilluara të botës, dhe po njësoj ka italianë që ende emigrojnë.
Por, shifrat që jepen nga studime të ndryshme të besueshmë për Shqipërinë, janë shifra të cilat duhet të na bëjnë të reflektojmë dhe të shqetësohemi për këtë gjendje pothuajse të pashpresë.
Njerëzit emigrojnë për arsye të ndryshme, për arsye studimi, për arsye politike ekonomike, apo edhe thjesht për një jetë më të mirë.
Në këtë kuptim, emigrimi i një personi apo një familje nuk tregon gjithmonë varfërinë e tyre, pasi ka nga ata që emigrojnë edhe pse kanë të ardhura të mjaftueshme për të bërë një jetë dinjitoze. Kështu që, arsyet e emigracionit duhet t’i gjejmë përtej arsyes ekonomike.
Më shumë se sa varfëria, ajo që e bën një popull të emigrojë është pikërisht shpresa se në vendin e tyre nuk ka një të ardhme. E më sa duket, shqiptarët, edhe pas 34 viteve pluralizëm, ende nuk besojnë tek e ardhmja e Shqipërisë. Kjo është fatkeqësia më e madhe që mund të ketë një vend, mungesa e shpresës së qytetarëve të tij.
Në fillimet e tij pas rënies së komunizmit, emigracioni shqiptar, ndoshta ishte një element pozitiv për ekonominë shqiptare, edhe pse emigracioni është një plagë shoqërore e madhe.
Askush nuk mund ta mohojë se ekonomia shqiptare ka rezistuar falë parave të emigracionit, në një kohë kur në Shqipëri nuk ekzistonte asnjë mundësi zhvillimi ekonomik. Jo vetëm në aspektin financiar, por emigrantët shqiptarë kanë luajtur një rol të madh edhe në zhvillimin e kulturës së ekonomisë, shoqërisë, apo kulturës qytetare në përgjithësi, duke përcjellë në atdhe shpesh herë eksperienca e tyre perëndimore.
Mirëpo, pas shumë vitesh të kaluara jashtë Shqipërisë lidhjet e tyre njerëzore, dhe si pasojë financiare me ta janë shkëputur. Kështu që, emigracioni shqiptar, në këto shifra, në këto momente, përbën dramë të madhe për Shqipërinë, që nëse nuk bëhet asgjë për ta ndaluar, pasojat janë të paimagjinueshme.
Dihet fare mirë, që grup-mosha që kërkon të emigrojë, është grupmosha e fuqisë punëtore. Në këtë mënyrë, ekonomisë shqiptare do t’i mungojë fuqia punëtore, do t’i mungojnë kontributi i tyre në zhvillimin e ekonomisë, sepse kapitali human është i pazëvendësueshëm. Dhe kjo, do të ketë një efekt zinxhir në të ardhmen, që ende nuk dihet se si do të përballohet.
Dhe në këto ditë të emigrantëve politika shqiptare, sidomos qeveria nuk u kujtua aspak për këtë dramë dhe si mund ta frenojë atë, por thjesht iu bën thirrje emigrantëve të votojnë për ta. Më në fund, të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, më së paku do të kenë të drejtën e votës. Shpresa është që ta përdorin atë në mënyrën e duhur për të ardhmen e shqiptarëve që jetojnë këtu, që numri i bashkëkombasve të tyre që braktisin vendin të mos shtohet akoma dhe më shumë.