Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: A mund të jetë vota e diasporës shpëtimtare për Edi Ramën?

Shkruar nga Liberale

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: A mund të jetë vota e diasporës

Ervis Iljazaj

Edi Rama nuk shquhet si ata politikanë që ka në qendër të veprimeve të tij zbatimin e ligjit, respektimin e shtetit të së drejtës apo mbrojtjen e parimeve demokratike. Përkundrazi, ai sillet gjithmonë sipas interesit të tij politik, në fakt karakteristikë kjo e politikanëve shqiparë.

Në momentin kur u hartua kodi elektoral dhe u vendos që emigrantët shqiptarë të votonin, Partia Socialiste ishte në një pozicion shumë herë më të favorshëm në raport me Sali Berishën. Pra, fuqia e tij kontraktuale ishte shumë herë më e madhe se sa ajo e Berishës duke patur parasysh se ai ende kishte në tavolinë çështjen e logos së Partisë Demokratike, njohjen zyrtare të grupit parlamentar demokrat, apo dhe çështjen e procesit gjyqësor. Në këtë kuptim, në momentin e ndryshimeve të kodit, Rama dhe partia e tij mund të përcaktonte ose jo shumë herë më shumë kushte sesa Partia Demokratike.

Dhe kur vendosi që emigrantët shqiptarë të votonin, sigurisht që që i ka bërë mirë llogaritë nëse këtë gjë e ka patur në favor ose jo. Është vështirë të mendosh se Rama ka dhënë votat për votën e diasporës sepse kështu kishte vendosur Gjykata Kushtetuese. Ka gjithmonë një mënyrë për pushtetin për ta shmangur këtë detyrim. Kështu që logjika thotë se ai mendon që vota e diasporës është në favor të tij, në të kundërt, as nuk ishte për ta realizuar atë, ashtu sikurse nuk e kanë bërë gjithë këto vite.

Nga ana tjetër Partia Demokratike për të rifituar pozitën e saj jurdike si opozita kryesore në vend është gjendur në kushte jo të favorshme për të menduar situata të tilla.
Por a është e vërtetë se vota e emigrantëve mund të jetë shpëtimtarja e tij? Ka disa argumenta që të mendosh se po, edhe pse vota e diapsorës është ende një e panjohur e madhe.

E para, është numri i deritanishëm i regjistrimit të votës së emigrantëve që është diku te 50 mijë vetë. Sipas projeksioneve numri total mund të arrijë diku te 200 mijë, ndoshta diçka më shumë. Nga numri i projeksionit duket sikur nuk ka një valë të madhe njerëzish që vërtetë mund të sillnin ndryshimin në Shqipëri. Në këto nivele që është numri i votës së diasporës është fare e lehtë dhe e menaxhueshme nga pushteti i qeverisë. Nëse do të ishin 400 apo 500 mijë vota, atëherë mund të mendohej se ka një dëshirë të madhe për ndryshim dhe emingrantët mund ta sillnin atë në Shqipëri.

E dyta, pushteti, sidomos ky i Edi Ramës, ka shumë herë më tepër mjete për të ndjekur votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë. Opozita shqiptare e ka të vështirë për situatën ku gjendet, të menaxhojë dy fushata, një brenda Shqipërisë dhe një jashtë saj.

E treta, po të shikosh numrin e të regjistruarve në masë më të madhe ai është i emigrantëve që jetojnë në Greqi dhe Itali. Emigracioni shqiptar në këto vende nuk mund të konsiderohet emigracion si pasojë e keq-qeverisjes se kësaj mazhorance. Ai është një emigracion më i hershëm. Në këtë kuptim nuk do të thotë aspak se ata janë larguar për shkak të Ramës dhe janë të pakënaqur me të.

E katërta, emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë nuk jetojnë me përditshmërinë e Shqipërisë. Pra nuk përballen çdo ditë me problemet e shëndetësisë, arsimit apo çështje të jera që shqetësojnë jetën e nje personi. Ata me shumë mundësi e gjykojnë Shqipërinë nga pikëpamja estetike për një muaj apo dy muaj, kur vijnë si tursitë. Dhe nga kjo pikëpamje Shqipëria ndoshta ka bërë hapa përpara. Edi Rama e di fare mirë se pas 12 viteve në pushtet, prej rritjes së korrupsionit apo çështjeve të tjera, mbështetja e brendshme e tij ka rënë. Kështu që me votën e diasporës ai ka kërkuar të kompensojë humbjen e konsensusit të brendshëm. Për të gjitha këto arsye, vota e emigrantëve shqiptarë mund të rezultojë një autogol i opozitës dhe shpëtimtare për pushtetin e Ramës. Megjithatë këto janë vetëm hipoteza dhe asgjë nuk dihet me siguri.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH