Në një deklaratë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se kjo parti nuk ka asnjë detyrë që të verifikojë të kaluarën e kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj, duke bërë fajtor kryeministrin Edi Rama dhe Prokurorinë e Përgjithshme.
Më herët PD i drejtoi një kërkesë Prokurorisë, ku shkruante se Qerim Ismailaj, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, për shkak se dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Greqi dhe se në periudhën 1999-2000 ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke.
Në fjalën e tij Bardhi u shpreh se do të vërtetojnë zyrtarisht dënimin e Ismailajt.
“Sot PD i ka kërkuar zyrtarisht Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e të kaluarës kriminale të Edi Ramës së Mallakastrës. Sipas të dhënave të mbledhura nga PD, Qerim Ismailaj rezulton se ndodhet në kushtet e ndalimit të kandidimit për një post publik.
Ky është rasti i katërt pas atij të Shkodrës, Vorës dhe Vau të dejës që konfirmon se Rama ka ardhur në pushtet falë mbështetjes së krimit të organizuar. Si të tjerët dhe Ismailaj u përbetua se nuk ka pasur probleme në Greqi. Ky është mashtrim. Ai njëlloj si
Edi Rama e di se është i dënuar në Greqi. PD po punon dhe shumë shpejt do provojë për opinionin publik se Edi Rama i Mallakastrës ka të shkuar kriminale dhe në bazë të ligjit të dekriminalizimit nuk duhet të ushtrojë asnjë funksion publik”, deklaroi Bardhi.
Mirëpo ky i fundit tha se “nuk kam asnjë lloj dijenie. Jam i hapur për çdo lloj verifikimi të mundshëm. Unë punoj si kryetar, kam dorëzuar formularin e dekriminializimit. Nuk jam ndaluar nga policia greke, në asnjë rast”. /Gazeta Liberale